Treza e organizuar nga Vetëvendosje për Telekomin e Kosovës

Shkaqet dhe zgjidhja e krizës së Telekomit të Kosovës sipas ekspertëve

Në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës u fol për gjendjen, shkaqet dhe zgjidhjen e krizës së Telekomit të Kosovës nga ekspertë të telekomunikacionit, ekonomistë e deputetë të Kuvendit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili e moderoi këtë tryezë tha se gjendja aktuale e Telekomit të Kosovës nuk është rastësi.

“Gjatë këtyre viteve, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, por edhe më herët nuk janë lejuar investimet dhe vazhdimisht është kërcënuar me privatizim. Nuk janë lejuar investimet për ngritjen e performancës së Telekomit dhe në zhvillim të ekonomisë së Kosovës”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, që prej tenderëve të kurdisur të Z Mobile, deri te ushtruesi më i ri i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, i cili ka qenë kryetar i degës së AAK-së në Drenas, korrupsioni dhe krimi nuk janë ndalur në Telekom.

Ismet Hamiti, anëtar i Lëvizjes së Vetëvendosje, por edhe ekspert në fushën e telekomunikacionit  tha se Telekomi i Kosovës është sjellë në gjendje sa nuk mund t’i mbuloj as shpenzimet rrjedhëse.

“Kjo për një arsye, se të hyrat e Telekomit, vidhen e plaçkiten, por këtu kemi plaçkitje, se ajo po bëhet hapur. Përmes një mekanizmi si Z Mobile, Telekomit i plaçkiten 30 për qind të të hyrave”, theksoi profesori Hamiti.

Ai tha se sektori i telekomunikacionit është sektori më i keq-qeverisur që nga periudha e pasluftës në Kosovë.

“Potenciali i sektorit të telekomunikacionit është 200 mil euro fitim në vit. Kompanitë e telekomit në gjithë botën janë shumë fitimprurëse, nuk kam dëgjuar deri tani që një kompani e telekomit të falimentoj”, ka thënë ai.

Salem Lepaja, poashtu ekspert në fushën e telekomunikacionit tha se dëmi më i madh Telekomit i është bërë përmes kontratës me Dardafonin, Z Mobile i tanishëm.

Si zgjidhje të krizës në Telekomin e Kosovës ai tha se duhet të suspendohet kontarta me Z Mobile.

“Prokuroria të suspendojë kontratën joligjore me Dardafone apo Z Mobile i tanishëm, të formohet grupi për menaxhimin e krizës i përbërë nga profesionistë të telekomunikacionit dhe ekonomistë që ta nxjerrin Telekomin nga kriza në një afat 2 vjeçar, grupi duhet t’i ketë autorizimet e plota për veprimet e domosdoshme për kthimin e Telekomit në gjendje normale. Ky grup duhet ta bëjë ristrukturimin e brendshëm në Telekom”, tha Lepaja.

Poashtu profesori Lepaja tha se Telekomi ka pasur dhe vazhdon të ketë kuadër të përgatitur profesional.

“Por si është e mundur që me këtë kuadër profesional të bie në krizë, kjo është përgjigja, kuadri i brendshëm është margjinalizuar, janë eliminuar nga postet vendimmarrëse, për shkak të qëndrimeve të tyre profesioniste dhe konsekuente. Pra janë sjellë kuadër nga jashtë, jo profesionalë, të dëgjueshëm që kanë nënshkruar kontrata shumë të dëmshme”, vazhdoi Lepaja.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe profesori i ekonomisë në AUK, Besnik Bislimi tha se dëmi më i madh në Telekomin e Kosovës është bërë përmes kontratës me Z Mobile.

“Kjo ka shënuar pikën ku ka filluar zbehja e financave të Telekomit, nuk është përmendur në publik edhe kontrata me ART Motion dhe për çudi pronari i ART Motion sot është i njëjti me Dardafonin”, tha Bislimi.

Sipas Bislimit plaçkitja e Telekomit është bërë edhe përmes punësimit, udhëtimet jashtë vendit, faturat fiktive, por prapë se prapë sipas tij këto kanë qenë të përballueshme nga Telekomi për shkak të të ardhurave të mëdha, por kontrata me Z Mobile sipas tij është më e dëmshmja.