Protesta e sotme e banorëve të Shipitullës - Foto: KALLXO.com

Shipitullasit Tentojnë t’i Pengojnë Ekskavatorët e KEK-ut

Banorët e Shipitullës janë mbledhur sërish sot dhe kanë tentuar të pengojnë punën e ekskavatorëve të KEK-ut, të cilët që nga dita e djeshme janë duke operuar në kundërshtim me ligjin në zonën e sigurisë në këtë fshat.

Dje, kryeinspektori i minierave i KPMM-së, Fatmir Gërguri, i kishte bindur këta banorë që të mos e pengonin punën e ekskavatorëve, duke u premtuar se institucionet shtetërore do të merrnin një vendim rreth këtij rasti brenda 24 orëve.

Por, meqë institucionet nuk kanë marrë kurrfarë vendimi, banorët janë nisur drejt vendit ku ekskavatorët po punonin.

Mirëpo, siç ka treguar për KALLXO.com përfaqësuesi i banorëve të Shipitullës, Saim Krasniqi, ata janë penguar të shkonin tek ekskavatorët nga pjesëtarët e Policisë.

Ndërsa, Ujup Mirena, njëri prej protestuesve tregoi për KALLXO.com se protesta është ndërprerë dhe se banorët u kanë dhënë një mundësi të fundit institucioneve që deri të hënën në ora 15:00 të gjejnë zgjidhje për problemin e tyre, përndryshe ka paralajmëruar protestë të dhunshme.

Po ashtu, Saim Krasniqi tregoi se kanë lënë që të hënën në ora 10:00 të takohen në zyrën e komandantit të Policisë së Obiliqit me drejtorin e KEK-ut, me kryetarin e Komunës së Obiliqit, me prokurorin e shtetit dhe me drejtorin e shpronësimit të MMPH-së.

http://kallxo.com/ekskavatoret-e-kek-ut-shkelin-zonen-e-sigurise-ne-shipitulle/