Foto: Ilustrim

Shifra mbi rastet e dhunimit dhe ngacmimet seksuale në Kosovë

Rasti i fundit ku dyshohet për abuzim seksual me një vajzë të re nga komuna e Drenasit, ngjalli shumë reagime në opinion.

Për këtë rast, u organizuan edhe protesta nga organizata të shoqërisë civile.

KALLXO.com ka kërkuar statistika nga Policia e Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës mbi rastet e dhunimeve dhe të ngacmimeve seksuale.

Vetëm deri më 10 dhjetor të vitit të kaluar, të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për 36 raste të dhunimit gjatë vitit 2018. Prej tyre, 7 raste janë të raportuara si dhunime në tentativë.

Ndërsa në vitin 2017, Policia ka thënë se janë shënuar 38 raste të dhunimit, 9 prej të cilave janë dhunim në tentativë.

Numri më i vogël ka qenë në vitin 2016, me 34 raste dhunimi, nga të cilat 6 kanë qenë si dhunim në tentativë.

Ndërsa, për veprën keqpërdorimi seksual i personave nën moshën 16 vjeçare, sipas Policisë së Kosovës, deri më 10 dhjetor të vitit 2018 janë 58 raste.

Në vitin 2017, për të njëjtën vepër të dhënat e Policisë flasin për 61 raste.

Por ky numër ishte për 15 më i lartë më 2016, kur u raportuan 76 raste.

KALLXO.com ka siguruar të dhënat nga Policia e Kosovës edhe për sulmet seksuale.

Shifrat flasin se deri më 10 dhjetor të vitit të kaluar janë 43 sulme seksuale.

Një rast prej tyre është raportuar si sulm seksual në tentativë.

Ndërsa në vitet paraprake, 2017 dhe 2016 të dhënat flasin për 50 raste përkatësisht 56 raste sulme seksuale. Prej tyre, si sulm seksual në tentativë janë regjistruar 1 në vitin 2017 e 3 në vitin 2016.

Në vitin 2018 sipas Policisë së Kosovës ka qenë një rast për nxitje të akteve seksuale me premtim të rrejshëm të martesës. Ndërsa në dy vitet paraprake, të dhënat flasin se janë paraqitur dy raste në vitin 2017 e tri të tjera në vitin 2016.

KALLXO.com ka siguruar të dhënat edhe nga Këshilli Gjyqësor të Kosovës mbi dhunimet dhe ngacmimet seksuale për vitin 2018.

Gjithsej për vitin e kaluar janë pranuar 25 lëndë të llojit dhunim. Ndërsa, janë plot 135 lëndë për dhunim që presin për punë nëpër gjykatat e Kosovës. Prej këtij numri, janë zgjidhur 37 lëndë, ndërsa kanë mbetur edhe 97 lëndë të pazgjidhura.

Sipas të dhënave të gjykatave, vepra sulm  seksual për vitin 2018 janë pranuar 8 lëndë, ndërkaq numri i lëndëve sulm seksual, e që janë në punë është 32.

Në vitin e kaluar nëntë lëndë janë zgjidhur, e në punë kanë mbetur edhe 23 të tjera.

Gjykatat e Kosovës kanë pranuar lëndë edhe për keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare.

Sipas të dhënave të KGJK-së, në vitin 2018 janë pranuar 25 lëndë të kësaj natyre, ndërsa gjithsej numri i lëndëve ka arritur në 70.

Gjatë vitit të kaluar, gjykatat kanë zgjidhur 20 lëndë të keqpërdorimit seksual i personave nën moshën 16 vjeçare. Ndërsa, po presin për zgjidhje 50 lëndë të tjera.