Shfaqjet e ‘MonoAkt’ jepen sot në Prishtinë

“Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”, shfaqet sot në mbrëmje në Teatrin “Dodona” në Prishtinë. Kjo shfaqje jepet në kuadër të festivalit të monodramës “MonoAkt”, i cili nisi dy net më parë në Pejë.

Përveç kësaj monodrame, në kuadër të këtij festivali do të mbahet edhe performanca e studentëve të Fakultetit të Arteve, “Monostrip”.

“Monostrip” mbahet në Skenën e Fakultetit të Arteve të UP-së në Prishtinë, sot në mesditë me monoperformancat e aktorëve të rinj.

Edicioni i 11 -të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës, “MonoAkt 2019”, ka nisur në mbrëmjen e 23 qershorit me shfaqjen e monodramës franceze, “Nijinski apo Zoti i kaltër” me regji të Flavia Lorencit dhe aktrim të Arman Saribekyan.

Festivali mbahet në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës, ndërsa një ditë, sot, shfaqjet e këtij festivali mbahen në Prishtinë.

Në këtë edicion po marrin pjesë artistë nga vende të ndryshme të cilët shfaqjeve do të kenë rast të vizitojnë edhe bukuritë natyrore të vendit, monumentet dhe lokalitetet e trashëgimisë kulturore..