Shfaqja për fëmijë ‘Dashuri në fund të detit’ premierë në Dodonë 

Teatri i Qytetit të Prishtinës, “Dodona” do të shfaqë të shtunën,  më 2 mars 2019, premierën e shfaqjes për fëmijë me kukulla “Dashuri në fund të detit” me tekst dhe regji të Valdet Ramës.

Autori i shfaqjes Valdet Rama, zyrtar i Lart te arteve në “Dodonë”, ka thënë për KALLXO.com se shfaqja, “Dashuri në fund të detit’ që u dedikohet fëmijëve mbi moshën 3 vjeçare, sjellë rrëfimin e një pirati të vetmuar i cili  lundron detit të pafund në kërkim të medaljonit.

“Në një stuhi në det, pirati e shpëton një princeshë nga dallgët e detit dhe i kërkon që ajo të  zhytet në det për ta kërkuar medaljonin, pasi atë vetëm një person me shpirt të pastër guxon ta prekë me dorë. Princi i mbretërisë së detit e shpëton princeshën nga kthetrat e oktapodit të madh dhe aty e kuptojnë se para shumë kohësh ata kishin luajtur së bashku”, ka thënë Rama.

Pirati merr një porosi në shishe dhe e kupton se s’ka çfarë të bëjë pos të lundrojë nëpër det dhe të shpresoj të gjejë thesarin.

Kukullat dhe skenografia e shfaqjes është punuar nga vetë autori i shfaqjes Valdet Rama, ndërsa luajnë: Roza Berisha-Fejzullahu dhe Avni Hoti.