Sheshelit i Lejohet Mospjesëmarrja në Gjykim

Gjykata e OKB-së në Hagë bëri të ditur se lideri i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel nuk është e nevojshme të jetë i pranishëm për të dëgjuar vendimin e gjykimit të tij për krime lufte në fund të këtij muaji, pavarësisht kërkesës së saj të mëparshme që ai të rikthehej atje.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, tha të mërkurën se Shesheli nuk ka pse të kthehet në Hagë për të dëgjuar vendimin më 31 mars, edhe pse më parë është këmbëngulur se ai duhet të kthehet përsëri në gjykatën e krimeve të luftës për të dëgjuar vendimin në gjykimin e tij.

Ajo tha se kishte pranuar një argument nga qeveria serbe se nuk ishte e mundur që të ndërpritej trajtimi mjekësor për kancer i Sheshelit apo që ai ta vazhdonte trajtimin e tij në Hagë, kështu që vendimi do të jepet në mungesë të tij.

Megjithatë, gjykata tha se Shesheli mund ta ndjekë dhënien e vendimit për të nëpërmjet një lidhjeje me video nga Beogradi.

Shesheli ka refuzuar të komentojë vendimin e gjykatës derisa ai të publikohet në gjuhën serbe.

Kjo do të jetë hera e parë që Gjykata e Hagës do të japë një vendim në mungesë të të pandehurit.

Shesheli akuzohet për krime kundër kroatëve dhe boshnjakëve në Kroaci, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë nga viti 1991 deri 1993.

Ai u lejua të kthehej në Beograd në nëntor 2014, pasi iu dha lirim i përkohshëm për shkaqe humanitare që t’i nënshtrohej kurimit për kancer.

Që atëherë, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës.

Ai gjithashtu refuzoi të kthehej në gjykatë vullnetarisht për të dëgjuar vendimin e tij, duke i sfiduar autoritetet serbe ta kthenin atë atje me dhunë.

Në një konferencë shtypi në Beograd të martën, ai tha se pret që të dënohet për krime lufte kur të jepet vendimi.

“Dënimi im do të jetë ‘drakonian’, ndoshta pak më i ulët se ai i ish-presidentit serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç,” tha ai.

Ai tha gjithashtu se ka ndërmend ta udhëheqë partinë e tij në fushatën për zgjedhjet parlamentare të Serbisë muajin e ardhshëm.

Në deklaratën mbyllëse në gjyqin e tij, prokuroria i kërkoi gjykatës dënimin e tij me 28 vjet burg, ndërsa Shesheli, i cili përfaqësonte veten në gjykatë, bëri thirrje për lirim nga akuzat.