Shesheli Mbështet Donald Trump-in

“U bëj thirrje vëllezërve serbë që jetojnë në ShBA që fuqishëm ta mbështesin kandidatin e Partisë Republikane Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale,” shkroi Shesheli në profilin e tij në Twitter të dielën.

Miliarderi Trump që po konkurron për të qenë kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit 2016 në ShBA, ka bërë disa deklarata gjatë fushatës së tij, të cilat u kritikuan si anti-islame.

Shefi i Partisë Radikale Serbe që po gjykohet për krime lufte në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi gjithashtu është kritikuar si anti-mysliman në disa raste.

Në dhjetor, pas të shtënave vdekjeprurëse në Kaliforni që u lidhën me vrasës të dyshuar si mbështetës të ISIS-it, Trump tha që kërkon “një moslejim të plotë të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, derisa përfaqësuesit e shtetit të kuptojnë çfarë dreqin është duke ndodhur”.

Sheshel në ndërkohë, për një kohë të gjatë mbështeti idenë e “Serbisë së Madhe”, ndërsa në vitin 2013 e përshkroi Bosnjën si një vend “pa dyshim serb”.

“Nëse fundamentalistët myslimanë nuk e duan këtë, mund t’i paketojnë valixhet dhe të shkojnë,” tha Sheshel.

Në ShBA jetojnë rreth 1 milion serbo-amerikanë, ndërsa diaspora serbe më së shumti është e koncentruar në Chicago.

Shefi i Partisë Radikale Serbe është akuzuar për acarim të vazhdueshëm të tensioneve etnike që nga kthimi i tij në Serbi në nëntor 2014 pasi Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ICTY e liroi përkohësisht për arsye humanitare që Sheshel ta kurojë kancerin.

Që nga kthimi në Serbi ai udhëhoqi protesta nacionaliste dhe bëri deklarata të vijës së ashpër që zemëruan viktimat e luftës.

Ai gjithashtu në disa raste tha se nuk do të kthehet vullnetarisht në gjykatën ndërkombëtare për vendimin e gjykimit të tij.

Edhe pse Shesheli shkeli rregullat e lirimit të tij, gjykata e Kombeve të Bashkuara nuk gjeti ndonjë mekanizëm me të cilin do të detyronte Qeverinë e Serbisë që ta kthejë liderin e Partisë Radikale në Hagë.

Qeveria e Serbisë deklaroi se shëndeti i Sheshelit është përkeqësuar aq shumë, sa që ai nuk është në gjendje të udhëtojë.

Vendimi i Gjykatës së Hagës për Sheshelin pritet të merret nga fundi i këtij viti.