Bilall Sherifi

Sherifi: Shtesat për fëmijët të mos jenë nën 10 euro

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilal Sherifi deklaroi se subjekti i tij politik e mbështetë nismën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi për shtesa të fëmijëve.

“Shpresojmë që vullneti i shprehur në këtë seancë, do të merret seriozisht nga qeveria që të hartojë  një ligj për këtë çështje. Shuma do të duhet t’i lihej qeverisë, të përcaktojë shumën, në varësi të buxhetit. Mirë do të ishte të mos jetë nën 10 euro, por më tepër, sado që buxheti e përballon”, tha ai gjatë seancës së Kuvendit.

“Në punimet të mëtejme, deputetët e Nismës do të japin kontributin e tyre në Kuvend dhe në Komisione”, tha Sherifi. 

Në Kuvend është duke u diskutuar për iniciativën e deputetes Donika Kadaj-Bujupi, e mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve.

Kadaj Bujupi, tha se shtesat e fëmijëve janë përpjekje e kahmotshme.

“Është çështje e interesit kombëtar që shtesat e fëmijëve të bëhen realitet e jo më larg se vitin tjetër”, tha ajo.

Sipas Kadaj Bujupit, ka rënie të natalitetit dhe prej vitit 2011 deri në vitin 2017 sipas saj janë 70 mijë lindje më pak.

https://kallxo.com/rezoluta-e-donika-kadajt-femijet-deri-16-vjec-te-marrin-nga-10-euro-ne-muaj-shtesa/

Deputetja Flora Brovina tha se Grupi Parlamentar i PDK-së, do ta përkrahë iniciativën e deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi për Debat parlamentar në lidhje me shtesat e fëmijëve.

https://kallxo.com/flora-brovina-pdk-do-ta-perkrahe-iniciativen-per-shtesat-e-femijeve/