Bilall Sherifi - Foto: Atdhe Mulla

Sherifi: Nuk kemi pritur goditje nga zyrtarë të AAK-së

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se nuk kanë pritur që lideri i tyre të goditej nga zyrtarë të AAK-së.

Sherifi ka thënë se deklarata e Muharrem Nitajt për Limajn është një tentim për të hedhur diçka në çarshi.

“Të thuash flet çarshia është tentim për të hedhur diçka në çarshi. Pra edhe nëse nuk ke dëgjuar diçka në çarshi, t’i mjafton ta thuash dhe pastaj çarshia flet”.

Sherifi duke folur për kronologjinë ngjarjeve thotë se në zgjedhjet e vitit 2014 NISMA i kishte të gjitha mundësitë të shkonte në koalicion me Thaçin dhe të formonin Qeverinë dhe t’i vazhdohej atij mandati.

“Por në vitin 2014 në u përcaktuam ta mbështesim zotin Haradinaj në projektin opozitar dhe u bëmë bashkë LDK, AAK, NISMA dhe më pas na u bashkëngjit edhe Vetëvendosje. Ai bllok kishte vota të mjaftueshme por të gjithë i dimë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai në RTV Dukagjini.

Sherifi thotë edhe pas largimit të LDK-së e VV-së nga blloku i asaj kohe, NISMA i qëndroi besnik koalicionit me AAK-në.

“Ne vazhduam këtë partneritet derisa Ramushi na çoi në koalicion me PDK-në. Ne ishim zotuar se do ta mbështesnim Ramushin për kryeministër… Ramushi e luti Fatmirin: Aman mos ma prish, e kemi një mundësi”, tha ai.

Shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate thotë se Ramushi kishte thënë se PDK-ja po vjen te projekti ynë i përbashkët duke e bindur Nismën Socialdemokrate t’i bashkohej bllokut.

“Prandaj nga kushdo mund të priten goditje të tilla të ulëta, por nuk duhej të vinin nga zyrtarë të AAK-së me apo pa qëllim. Janë gjëra të papranueshme”, tha ndër të tjera Bilall Sherifi./RTK