Bilall Sherifi: Foto: KALLXO.com

Sherifi: Dikush Mbi Shtetin po Aplikon Pushtet Autokrat

Bilall Sherifi në emër të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate ka thënë se njerëzit e institucioneve të Kosovës kanë vepruar në kundërshtim me kushtetutën dhe konventën ndërkombëtare kur kanë rrëmbyer gjashtë shtetasit turq dhe ia kanë dorëzuar Turqisë.

“Tani si asnjëherë më parë u dëshmua se dikush është vënë mbi shtetin dhe aplikon mënyrën autokratike të pushtetit me të vetmin dallim se këtë formë të pushtetit është duke e aplikuar fshehtas në shitjen e lirisë së njerëzve dhe nuk ka guxim të shpallë publikisht ambiciet e veta absolutiste”, theksoi Sherifi.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate tha se preokupimi kryesor i javës së kaluar ishte fati i gjashtë qytetarëve turq. Ai tha se veprimi i tillë u quajt deportim për të fshehur dorëzimin e shtetasve turq.

“Shumica e liderëve përdorën fjalën deportim për të fshehur veprimin dhe dorëzimin e gjashtë qytetarëve turq që kishin leje qëndrim në Kosovë. Në rastin e vendimit për gjashtë shtetasit turq nuk kemi të bëjmë me një deportim klasik, përkundrazi fjala është për një aksion të fshehtë të cilët hetuesisë së Turqisë iu dorëzuan gjashtë shtetasit turq”, tha Sherifi.

Sherifi para deputetëve shpjegoi se edhe çka është ekstradimi duke shpjeguar se para se të ekstradohet një person, institucionet e drejtësisë duhet të shqyrtojnë rastin në gjykatë për të parë se me çka ngarkohet ky person, personi ka të drejtë edhe për avokat, nëse nuk ka mundësi, shteti e ka për detyrë t’ia sigurojë.

Kurse për Kosovën Sherifi tha se i ka dorëzuar gjashtë turqit te një vend që e ka nënshkruar konventën ndërkombëtare me rezerva.

“Turqia që ka miratuar konventën ndërkombëtare me rezerva, sa herë që vlerëson e suspendon konventën, apo nuk e zbaton në raste të sigurisë nacionale. Në rastin e 6 shtetasve turq nuk kemi të bëjmë as me depërtim e as me ekstradim, por me rrëmbim. Në ditën e parë kur u rrëmbyen 6 personat mediat shfaqën deklaratat e familjarëve të cilët mbanin shpresë që familjarët e tyre ishin në burgjet e Kosovës”, ka thënë Sherifi.

Sherifi shtoi se rrëmbimi i 6 shtetasve turq dhe dorëzimi i tyre është krim për të cilin duhet të jepet llogari nga të  gjithë.

“Miqësia me këtë shtet nuk dëshmohet, por ky veprim na bën pjesë të qërimit të hesapeve brenda vendit. Ata shohin interesin e tyre dhe asgjë më shumë”, ka përfunduar Sherifi.