Qendra Korrektuese në Lipjan - Foto: KALLXO.com

Shërbimi Korrektues Sqaron Vdekjen e Naser Makollit

Shërbimi Korrektues I Kosovës pak para mesnatës ka dalë me një sqarim lidhur me vdekjen e të paraburgosurit Naser Makolli në Lipjan.

Sipas njoftimit të ShKK-së, i ndjeri Makolli kishte pasur probleme shëndetësore.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës sqaron opinionin se i ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe ka qenë duke u trajtuar në QPL në Lipjan”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Sipas njoftimit, Shërbimi Korrektues dhe Ministria e Drejtësisë kanë marrë hapat e nevojshëm që publiku të informohet me kohë.

“SHKK dhe Ministria e Drejtësisë kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë për të gjitha detajet e rastit”, thuhet më tutje në njoftim.

Ndërsa, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha për KALLXO.com se trupi i pajetë është sjellë në IML rreth orës 15:00.

KALLXO.com ka pyetur edhe Policinë e Kosovës në lidhje me rastin e Makollit.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tha se në Polici rasti është hapur si vdekje e dyshimtë.

“Rreth orës 13:05 Policia është njoftuar se në QKMF në Lipjan është sjellë pa shenja jete personi me inicialet N.M. nga Prishtina me vendbanim në Fushë-Kosovë. Ne lokacion kanë dalë njësitë policore si dhe janë njoftuar njësitë e tjera relevante. Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori dhe me urdhër të tij rasti hapet si vdekje e dyshimtë. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion”, tha Hoxha.

Ndërsa, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, në një postim në “Facebook” ka thënë se Naser Makolli ka qenë shoku i dhomës i Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Ende pa u bërë 5 muaj nga vrasje e Astritit, për fat të keq në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan vdes dëshmitari kryesor Naser Makolli. Ky ka qenë dëshmitari i parë që në ora 15 e ka parë Astritin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me 05.11.2016 kur janë kthyer të burgosurit nga shëtitja”, thuhet në postimin e Gashit.

Sipas Gashit, tanimë i ndjeri Naser Makolli ka pasur dëshmi të shumta në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit.

“Ky dëshmitar ka pasë shumë të thotë për vrasjen e Astritit… Ka edhe gjëra të tjera për këtë dëshmitar që mjerisht vdiq sot në burg”, tha Gashi përmes postimit në “Facebook”.

Naser Makolli i cili 2 javë pasi vdiq Astrit Dehari në Qendrën e Paraburgimit në Prizren u transferua në Qendrën Korrektuese të Lipjanit ku ndërroi jetë të hënën rreth orës 13:05.

Vdekja e të paraburgosurit Makolli ka rindezur debatin për vdekjen e Astrit Deharit.

http://kallxo.com/vdekja-e-te-paraburgosurit-rindez-debatin-per-vdekjen-e-astrit-deharit/

Ndërsa, obduksioni i trupit të Naser Makollit pritet të bëhet të sot.

http://kallxo.com/kur-te-behet-obduksioni-trupit-te-pajete-te-naser-makollit/