Shënohet Dita Ndërkombëtare e Mësuesit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë ka mbajtur sot konferencë për Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit.

Kryetari i SBASHK, Rrahman Jashari në këtë konferencë ka përgëzuar mësuesit në ditën ndërkombëtare të tyre.

“Ne ju dëshirojmë zbatimin e planeve tuaja krijuese, punë të frytshme dhe sukses profesional”, tha Jashari në këtë konferencë.

Jashari shtoi se Dita Ndërkombëtare e Mësuesit është shënuar me shumë aktivitete nëpër komuna me mësimdhënës.

“Një aktivitet i qëlluar e me veteranët e arsimit është mbajtur sot për nderë të 5 tetorit në shkollën e gjelbër në Prishtinë dhe përgëzojmë drejtoreshën, mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj vatre arsimore për këtë veprimtari të qëlluar e shumë domethënëse”, u shpreh Jashari.

Në këtë konferencë u tha se kudo në botë Internacionalja Botërore e Arsimit ka paraparë që aktivitetet të jenë të orientuara me moton “E drejta e mësimdhënies, e drejtë vetëm e mësuesit”, që ka për qëllim të krijohen kushte për punë që mësuesi të ndjehet i lirë e jo në presion të të tjerëve në misionin e tij human të arsimimit e edukimit të brezave.

Sipas përfaqësuesve të SBASHK-ut, kjo ditë e ka gjetur arsimin në Kosovë duke u përballur me shumë sfida.

“Deklarimi i institucioneve se arsimi është prioritet sot e kësaj dite nuk është kthyer në vepër. Është bërë shumë pak që të përmirësohen kushtet e punës në institucionet arsimore”, tha Jashari.

Jashari shtoi se është kërkuar të ketë buxhet më të madh për arsimin në mënyrë që shkollat të jenë të pajisura me kabinete e me mjete bashkëkohore të punës, është kërkuar që punëtorët e sëmurë rëndë të pensionohen duke u dhënë pensione të dinjitetshme.