Shënjestrimi i ‘turqve’: Si i hodhi Karaxhiqi themelet për gjenocidin

Lideri serb i Bosnjës i kohës së luftës Radovan Karaxhiq ishte figura kryesore e përfshirë në dehumanizimin e myslimanëve boshnjakë, duke i ripërcaktuar ata si armiq dhe duke e bërë dhunën gjenocidale një linjë veprimi politike, thotë Emir Sulagiq, i cili i mbijetoi masakrave të Srebrenicës në vitin 1995.

 

Isha 14 vjeç herën e parë që më quajtën turk. U përdor si një shpërfillje, një fjalë e keqe, një ofendim. Turqit i njihja vetëm nga mësimet e historisë si pushtues të huaj. Nuk kisha parë kurrë një turk të vërtetë deri në atë pikë në jetën time.

Por mesazhi ishte i pagabueshëm: për shkak të “turqizmës” time të dyshuar, isha më pak i denjë, më pak njerëzor.

Në vitet që pasuan, identiteti im – identiteti ynë – u rikonceptualizua, i reduktuar në këtë element të vetëm të të qenit “turq”.  Asgjë tjetër nuk kishte rëndësi, as kush apo çfarë tjetër ishim ne. Si e tillë, vetë ekzistenca jonë konsiderohej një kërcënim i vdekshëm nga elitat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi.

Në qendër të përpjekjes për të riformuluar dhe dehumanizuar myslimanët boshnjakë dhe përdorimi konsekuent i dhunës gjenocidale si politikë legjitime, ishte Radovan Karaxhiqi.

Regjimi i Radovan Karaxhiqit nuk ishte totalitar në kuptimin që ishin nazizmi ose stalinizmi. Megjithatë, ai ishte një regjim që ekzistonte vetëm për qëllimin e vrasjes – asgjësimit fizik të jo-serbëve, ose më saktë, myslimanëve boshnjakë.

Më lejoni të citoj nga vendimi në gjykatë i Karaxhiqit një përshkrim të disa ngjarjeve që ndodhën në Rogatica në Bosnjën lindore gjatë luftës:

“Gjatë natës ushtarët godisnin muret dhe hapnin dyert me dhunë, u ndiznin elektrikët në fytyrë të ndaluarve, zgjidhnin rastësisht gra dhe vajza, duke thënë se do të merreshin në pyetje, por i merrnin ato për t’i përdhunuar. Të ndaluarit e tjerë dëgjonin gratë dhe vajzat që bërtisnin për ndihmë. Gra dhe vajza deri në shtatë vjeçe, si dhe një djalë 13-vjeçar, u nxorën nga klasat pothuajse çdo natë për një periudhë prej dy muaj e gjysmë dhe u përdhunuan nga policia dhe ushtarët që ruanin kampin.”

Dënimi me burgim të përjetshëm që u dha muajin e kaluar në Hagë për arkitektin kryesor të gjenocidit të Srebrenicës është pra një hap i mirëpritur; simbolizmi ka rëndësi. Por në fund të fundit nuk do të thotë asgjë, sepse Karaxhiqi do të vazhdojë të jetojë nga puna e jetës së tij. Kontributi i tij unik për gjenocidin është se ai, pothuajse njëkohësisht, kreu gjenocid me qëndrueshmëri duke e përshtatur atë si një të mirë publike.

Varret në Srebrenicë – Foto: REL/AP

Karaxhiqi nuk është një figurë margjinale nga skajet e ekstremit të djathtë. Ai ishte në qendër të një lëvizjeje të gjerë nacionaliste e vendosur të ndiqte gjurmët e strategjisë gjenocidale të largimit dhe asgjësimit të jo serbëve në zonën e Bosnjës dhe Hercegovinës e cila sot njihet si Republika Srpska.

Në një bisedë telefonike me Karaxhiqin, Dobrica Çosiq, nacionalist serb i shquar dhe më vonë president i Republikës Federale të Jugosllavisë, theksoi thelbin e përpjekjeve të Karaxhiqit ndaj nacionalizmit serb:

“Ju po përfundoni një proces historik.  Thjesht, ka dy koncepte, është bashkimi i sllavëve të jugut dhe bashkimi i serbëve. Bashkimi i sllavëve të jugut ka dështuar historikisht, por bashkimi i serbëve jo. Historikisht, ai tani duhet të përfundojë ose të zhduket,” tha Çosiq.

Më shumë se 60 për qind e serbëve që jetojnë në Republikën Srpska e konsiderojnë atë një hero, sugjeroi një sondazh i opinionit publik nga Al Jazeera Balkans në vitin 2018. Në Serbi, një sondazh i OSBE-së mbi qëndrimet ndaj Gjykatës së Hagës dhe për ndjekjes penale të krimeve të luftës në vitin 2012 gjeti se rreth 50 për qind e të anketuarve mendonin se Karaxhiqi dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiq nuk ishin përgjegjës për krimet e luftës për të cilat ata u akuzuan.

Ne mund të mos jemi në gjendje të pranojmë realitetin e kësaj mbështetjeje masive dhe entuziaste për projektin gjenocidal të Karaxhiqit. Por kjo nuk e ndryshon faktin se Karaxhiqi duhet të konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme në historinë serbe të shekullit të 20-të.

“Do të masakroheni”

Qëndrimi kryesor i Karaxhiqit ndaj dhunës gjenocidale ndaj myslimanëve boshnjakë qëndron në dy procese të mbivendosura: rikonceptualizimin i identitetit të myslimanëve boshnjakë dhe përfshirja e qëllimit për t’i asgjësuar ata.

Rikonceptualizimi i identitetit i referohet procesit me të cilin grupi i viktimave portretizohet si “i shtrirë jashtë komunitetit politik”, si “një armik pothuajse mbinjerëzor, ekzistenca e vazhdueshme e të cilit kërcënon mbijetesën e komunitetit politik”, ose paradoksalisht si nën- ose jo-njerëzor, sipas shkencëtarit politik Maureen S. Hiebert.

Karaxhiqi kishte një pasuri të madhe imazhesh dhe trashëgimie ku të bazonte rikonceptualizimin e myslimanëve boshnjakë. Nga fillimi i shekullit të 19-të deri në formimin e Mbretërisë së Jugosllavisë deri në Luftën e Dytë Botërore, “myslimanët në Ballkan ndonjëherë shiheshin si një lloj ‘shtylle e pestë’ etnike, e ngelur nga një epokë e mëparshme, të cilët kurrë nuk mund të integroheshin me sukses në shtetet e ardhshme të planifikuara kombëtare”, shkroi historiania Cathie Carmichael në artikullin e saj “Spastrimi etnik i myslimanëve sllavë dhe roli i tij në diskurset serbe dhe malazeze që nga viti 1800”.

Islami ishte elementi i identitetit të myslimanëve boshnjakë që ishte i përshtatshëm për rikonceptualizim. Prandaj ai u përdor nga elitat serbe për të ndërtuar myslimanët boshnjakë si një kërcënim vdekjeprurës që duhet të hiqet fizikisht nga shtetet serbe të projektuara që të ndërtohen mbi rrënojat e Jugosllavisë.

Si një prelud ndaj dhunës edhe kur filloi me zell, motivi i “turqve” ishte i përhapur. Në qytetin tim të lindjes Bratunac, grafitit e shkruara në pronat publike dhe private lexonin: “Myslimanë, Balijas (fjalë ofenduese për boshnjakët), turq – largohuni! Do të masakroheni!”. Të ndaluarit në kampin e burgimit në Brcko referoheshin nga rojet e tyre si “një bandë turke, një popull fiktiv, një popull jo-ekzistues”, sipas gjykimit të Karaxhiqit.

Dhe pasi në Zvornik nuk mbetën më myslimanë, Korpusi i Drinës i Ushtrisë Serbe të Bosnjës – i cili do të luante një rol vendimtar në operacionin gjenocidal në Srebrenicë tre vjet më vonë – raportoi se me “ardhjen e organizatave paraushtarake në Zvornik, sidomos me ardhjen e liderit paraushtarak Arkan dhe njerëzve të tij, ky territor u çlirua nga turqit”.

Raporti i Korpusit të Drinës, i cituar në vendimin e Karaxhiqit, vazhdonte: “Turqit përbënin 60 për qind të popullsisë së komunës dhe tani ajo është spastruar dhe është zëvendësuar me një popullsi serbe etnikisht të pastër.”

Ky qëllim kishte filluar të shfaqej nga fundi i vitit 1991, nëpërmjet asaj që autori Robert Donia në librin e tij për Karaxhiqin i referohet si “diskursin e zhdukjes”. Në bisedat telefonike me miqtë dhe aleatët e tij – të përgjuara nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore të Bosnjës – Karaxhiqi e shijonte zhdukjen e menjëhershme të myslimanëve.

“Ata duhet ta dinë se në Sarajevë ka rreth 20,000 serbë të armatosur. Kjo nuk është normale. Ata do të zhduken! Sarajeva do të jetë një kazan i madh në të cilin 300,000 myslimanë do të vdesin,” tha ai gjatë një telefonate.

“Ata nuk janë normalë. Nuk e di. Tani do të duhet t’ua them hapur: Njerëz, mos rrezikoni! Në Bosnje dhe Hercegovinë ka rreth 300-400 mijë serbë të armatosur. Çfarë mendoni ju? Ata nuk e kuptojnë se do të ketë gjakderdhje dhe se populli mysliman do të shfaroset.”

Pak ditë pas kësaj bisede, Karaxhiq bëri një kërcënim të ngjashëm gjatë një seance të parlamentit boshnjak: “Mos mendoni se nuk do ta çoni Bosnjën dhe Hercegovinën drejt ferrit dhe mundësisht kombin mysliman drejt zhdukjes, sepse populli mysliman nuk do të jetë në gjendje të mbrohet nëse këtu vjen puna deri në luftë.”

Karaxhiqi kishte gjithashtu rol qendror për sipërmarrjen gjenocidale në respektin organizativ. Ndërsa vizioni gjenocidal i regjimit të tij ishte i qartë në gjashtë “Objektivat Strategjike të Popullit Serb”, të miratuar nga parlamenti serb i Bosnjës më 12 maj 1992, projekti për gjenocidin u parashtrua në udhëzimet më pak të njohura për “Organizimin dhe Funksionimin e Organeve të Popullit Serb në Bosnje dhe Hercegovinë në Kushte Emergjente”, i referuar kolektivisht si dokumenti “Varianti A dhe Variant’ B” i hartuar nga komanda e lartë e Partisë Demokratike Serbe e Karaxhiqit, SDS.

Dokumenti ishte i dobishëm për fillimin e gjenocidit. Së pari, ai ofroi udhëzime për një sërë grushtesh shteti lokale dhe rajonale, marrjen e një “segmenti kritik të aparatit shtetëror, i cili më pas përdoret për të zhvendosur qeverinë nga kontrolli i saj”. Së dyti, ai përshkroi mjetet dhe mënyrat e largimit së popullsisë jo serbe nga zonat e pretenduara nga serbët.

Karaxhiqi, me fjalë të tjera, ishte një figurë qendrore për të gjitha aspektet e gjenocidit: konceptualizimi i qëllimit, rikonceptualizimi i grupit të viktimave dhe në fund organizimi i tij.

Nga Srebrenica te Christchurch

Në klimën e sotme intelektuale të “tjetërsimit” të myslimanëve, me të djathtën në rritje në Europë dhe Shtetet e Bashkuara që i shënojnë qartë myslimanët si një armik civilizues, është inkurajuar islamofobia vrastare – gjasat e të cilës ne i dëshmuam në Christchurch në Zelandën e Re. Kjo ka ndodhur pasi ka kaluar një kohë dhe gjatë dhe kontributi i Karaxhiqit në këtë gjë është i pamatshëm.

Karaxhiqi ishte pararoja e përzierjes vrastare të ideve ekstremiste që janë normalizuar dhe integruar gjithnjë e më shumë në fillim të shekullit të 21-të. Në një tjetër bisedë me Cosiqin, Karaxhiqi profetizoi: “Nacionalizmat europiane mbeten ende për t’u përhapur. Ata mendojnë se tashmë ka ikur koha për nacionalizmin.”

Hariz Haliloviq, një i mbijetuar i kampeve të ndalimit në Prijedor në vitin 1992, i cili tani është profesor në Universitetin RMIT në Australi, së fundmi ka shkruar se referimet vizuale dhe të folura për Karaxhiqin dhe gjenocidin e boshnjakëve në të djathtën ekstreme në Perëndim nuk “tregojnë vetëm një narrativë të degëzuar dhe ndërkombëtare të konfliktit kulturor dhe fetar”, por “gjithashtu përfshijnë një metodologji të përbashkët, në një përpjekje të qartë për të krijuar një kontekst të dëshiruar për vrasjet”.

Duke lëshuar “forca të panumërta, të paparashikueshme dhe të fuqishme” ndaj myslimanëve boshnjakë, “bota nëntokësore” e poezisë që ai gjithashtu shkroi, Karaxhiqi ishte i rëndësishëm në transformimin e peizazhit të ideve në Perëndim, tha Haliloviq. Vrasësit masiv në mbarë botën mësojnë nga njëri-tjetri; strukturat shoqërore transformohen nga agjencia në një proces të përbashkët konstitutiv.

Karaxhiqi na ka lënë trashëgimi një botë në të cilën kujtimi është urrejtje, e vërteta është dhunë dhe gënjeshtra është liri.

Edhe pse nuk ndryshojnë nga pamja e tyre fizike nga skandinavët europianë, gjermanët apo holandezët, myslimanët boshnjakë kurrë nuk do të konsideroheshin ai mjaftueshëm të bardhë apo eruopianë për shkak të trashëgimisë së tyre islamike. Por ky nuk është një problem boshnjak apo “turk”. Grupe të tjera janë njësoj të cenueshëm ndaj dehumanizimit dhe ri-ndërtimit të identitetit.

Unë kam paguar çmimin e plotë të të qenit një “turk”. Pas vitesh të tëra mundim, kam kuptuar se qëllimi gjenocidal është në sytë e atij që e shikon dhe unë e kam përqafuar identitetin tim “turk”.

Por duhet të kihet parasysh se ideologjitë gjenocidale janë gjithmonë në kërkim të “turqve” të rinj.

E vetmja pyetje tani është: “Kush prej jush është ‘turku’ i radhës?”

 

Emir Suljagic jep Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës. Ai është autor i “Kartolina nga varri”, një tregim i dorës së parë i gjenocidit në Srebrenicë.

Ky koment ishte pjesë e një fjalimi në seminarin e Universitetit të Kolumbias “Mësime nga terreni: Inkuadrimi dhe interpretimi i mësimeve nga Ballkani”.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.