Shembulli i Shefkides - Gruaja nga Fshati, Pronare e Tokës

Shefkide Shabani nga Lubishta e Vitisë dy vjet më parë u bë një nga gratë e pakta në Kosovë me fletë poseduese të pronës, pasi që babai i saj tashmë i ndjerë i kishte lënë një parcelë të papunuar në fshatin ku Shefkidja ka lindur.

Në fshatin ku ka lindur dhe rrethinën ku jeton kjo është një gjë e pazakontë.

Sikur që është rast i pazakontë edhe në nivel të Kosovës që një vajzë të trashëgojë pronën nga babai.

Por sot ajo po përmendet si shembull i mirë që duhet ndjekur.

Ajo tregoi që me pronën të cilën ia la babai ka krijuar një biznes familjar për blegtori.

“Dëshiroja të merrja një kredi për të zgjeruar biznesin familjar për blegtori, për shkak se e kisha pronën në emrin tim dhe e kisha shumë të lehtë të aplikoja dhe të përfitoja. Ndoshta ky ishte vetëm fillimi kur unë më të vërtet u binda se shumë lehtë është të kryesh punë kur e gëzon pronën tënde”, tha Shabani.

Programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore dhe komuna e Vitisë kanë prezantuar fazën e dytë të fushatës nacionale për avokim publik për të ngritur vetëdijen dhe për të ndryshuar qëndrimet lidhur me të drejtën e grave për të zotëruar dhe shfrytëzuar pronën në Kosovë.

Ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie tha se në Kosovë shume pak gra kanë prona e kjo, sipas tij, është e bazuar në një anketë të kohës se fundit të USAID-it.

“Një anketë e kohëve të fundit e USAID ka treguar se 19 % e grave në Kosovë janë pronare të tokave, më pak se 4% e grave trashëgon pronë dhe vetëm 2% kanë marrë hua nga bankat e mbështetura nga pasuria e tyre dhe ekonomia e Kosovës po lëngon për shkak të kësaj”, tha Delawie.

Ai shtoi se korniza ligjore për të drejtat pronësore është e mirë por mungesa për zbatimin e ligjit është shqetësuese pasi që, sipas Delawie, gratë prej mungesës së vazhdimësisë së zbatimit të ligjit po përjashtohen nga trashëgimia.

“Mungesa e vazhdimësisë për zbatimin e ligjeve është ajo çka na shqetëson sepse gratë shpesh herë përjashtohen nga trashëgimia ose ju kërkohet që të heqin dorë nga trashëgimia dhe kjo tregon pabarazi të rëndë që duhet të trajtohet e të diskutohet hapur”, shtoi ai.

Zëvendës Kryeministri, Hajredin Kuçi tha se nëse dikush dëshiron ta mbrojë traditën shqiptare atëherë zgjidhja, sipas tij, është trajtimi i barabartë mes vajzave dhe djemve.

“Mbrojtja më e mirë e traditës është nëse ne i trajtojmë njëjtë djemtë dhe vajzat tona. Ne gjithë herë kemi thënë se nënat janë shtyllat tona të familjes dhe më lejoni të them se nëse nana është shtylla jonë e familjes atëherë duhet të jetë e trajtuar barabartë vajzat tona gratë tona dhe të gjithë të tjerët”, tha Kuçi.

Ndërsa Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti tha se fushata e cila është nisur për të drejtën pronësore trajton një çështje e cila ndikon në zhvillimin socio- ekonomik dhe kulturor të një shteti.

“Gjendja jo e kënaqshme e të drejtave pronësore është potencial për të shkaktuar konflikte, dhe si e tillë bart në vete ngritje të çështjeve shqetësuese që prekin dinjitetin, lirinë dhe sigurinë njerëzore”, tha Haliti.

Ai shtoi se gjinia femërore është grup i rrezikuar shoqërorë kur bëhet fjalë për të drejtat pronësore.

“Por, mohimi i të drejtës suaj nuk ju dëmton vetëm juve duke qenë se zbatimi i kësaj të drejte përveç tjerash është parakusht për funksionimin e ekonomisë së tregut dhe për progresin ekonomik, dhe duke pasur parasysh se administrimi parimor i pronës është një çështje civile kyçe për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik të vendit”, tha Kryetari i Vitisë.