‘Shembulli’ Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, doli të hënën në mëngjes t’i pastrojë xhamat e ndërtesës së qeverisë të skuqur me bojë një ditë më parë gjatë marshit protestues të Lëvizjes Vetëvendosje në kërkim të zbardhjes së rrethanave të vdekjes së aktivistit të tyre, Astrit Dehari, një vit më parë në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Haradinaj shpërndau fotografitë ku shihej me një spërkatëse në dorë duke larguar bojën e kuqe në xhama.

Kjo nuk është hera e parë që Haradinaj merret me pastrim.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Haradinaj ishte angazhuar që t’i pastrojë shkallët e Teatrit Kombëtar pas një proteste të opozitës kundër qeverisë së Isa Mustafës.

Ndërsa në një rast tjetër kur Haradinaj kishte protestuar para policisë për lirimin nga arresti të deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ishin shkaktuar dëme të shumta në hapësirën para stacionit policor. Aty Haradinaj nuk kishte ndërhyrë për ta kthyer vendin në gjendjen e mëparshme…