‘Sheherzadja’ në Prishtinë

Historia e dashurisë në mes të Sheherzades dhe Shehriarit  e shkëputur nga libri “Njëmijë e një net” do të paraqitet përmes vallëzimit nga trupa e baletit të Kosovës.

Ata të cilët duan të ndjejnë një dashuri përmes vallëzimit, dëshirojnë të shohin urrejtjen dhe dhembjen e dashurisë përmes syve dhe lëvizjeve  të balerinëve mund ta shohin shfaqjen “Netët Arabe” më 25 dhe 26 shkurt.

Koreografi shfaqjes, Pullumb Agalliu tha se kjo paraqitje do të sjell për qytetarët skena shumë të larmishme.

“Jam i kënaqur që po punoj me një trupë të tillë të baletit janë shumë të zotë, kemi pasur shumë pak kohë për prova vetëm 25 ditë mirëpo janë duke bërë një punë shumë të mirë, shpresoj që kjo të vërehet edhe në premierë”, tha Agalliu.

Kurse Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tha se kjo është premiera e parë për këtë sezon nga katër sa do të jenë në kalendar.

“Jemi përcaktuar për koreografin shqiptar që jeton në Azerbajxhan. Kjo shfaqje përfshin historinë e “Njëmijë e një net”, dhe ka një muzikë shumë të mirë dhe ka një stil të veçantë. Jam i lumtur që do të fillojmë këtë sezon më këtë shfaqje në të cilën janë 32 balerinë”, tha Brahimaj.

Teuta Krasniqi dhe Leonora Rexhi janë dy balerina të cilat do të paraqesin Sheherzaden në këtë shfaqje të ndërthurur me ndarje, dashuri, dhe vrasje.

Kurse dy “Sheherzadet e Kosovës” së bashku me trupën e baletit të Kosovës do të japin shfaqjen edhe në Tetovë dhe Tiranë.