Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou - Foto: KALLXO.com

Shefja e EULEX-it: Kemi Probleme me Dëshmitarët

Në takimin që u moderua nga Jeta Xharra me nikoqir dekanin e Fakultetit Juridik, Haxhi Gashi, Papadopoulo tha se një nga vështirësitë që ka shoqëruar gjykimet e profilit të lartë në Kosovë ka qenë mos bashkëpunimi i dëshmitarëve.

“Më vjen keq ta them por nganjëherë në rastet e profilit të lartë kemi probleme me prova apo çështja e dëshmitarëve, mungesa e dëshmitarëve”, tha Papadopoulou.

Papadopoulou tha se sistemi i drejtësisë nuk ka të bëjë vetëm me gjyqtarë e prokurorë, por po ashtu përfshin dëshmitarë dhe avokatë mbrojtës dhe nëse të gjithë këta bashkërisht nuk veprojnë së bashku atëherë nuk mund të kemi një sistem të përkryer.

Papadopoulou foli edhe për çështjen e kandidatëve për deputetë që janë duke u hetuar apo të akuzuar, duke thënë se kjo çështje duhet të rregullohet me ligj.

“Kjo është një çështje e ligjeve tuaja, por Kosova ka nevojë dhe meriton kandidatë me një autoritet të lartë dhe i takon popullit të Kosovës që të zgjedhë përfaqësuesit e tyre”, tha Papadopoulou.

Në debatin që u transmetua drejtpërdrejtë nga KALLXO.com përpos pyetjeve që parashtroi moderatorja Xharra, pyetje të shumta patën edhe studentët e pranishëm.

E pyetur nga studenti Miftar Salihu se cilët janë hapat që misioni i EULEX-it ka ndërmarrë në lehtësimin e integrimit të sistemit gjyqësor të veriut të Kosovës,  Papadopoulou tha se ky është një proces që duhet të udhëhiqet nga vendorët.

“Ne kemi një marrëveshje sa i përket integrimit të drejtësisë, e cila është dashur që të zbatohet që në janar por ka ca probleme praktike që kanë të bëjnë me objektin e gjykatës, i cili duhet të rregullohet dhe disa aspekte praktike. Ne këtu po bashkëpunojmë me qeverinë tuaj dhe atë në Beograd dhe shpresoj që kjo do të zbatohet sepse marrëveshja tashmë ekziston”, tha Papadopoulou.

BIRN edhe më parë ka organizuar debate të tilla me sdutentë. I fundit i këtij lloji ishte ai me ambasadorin britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.