FOTO KUVENDI I KOSOVES

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë përshëndet miratimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve

Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, Murat Sahin, ka përgëzuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin sot gjatë ditës të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas Sahin, miratimi i Ligjit është rezultat i avokimit te vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me përfaqësuesit e institucioneve publike të Kosovës, deputetëve dhe partnerëve të UNICEF-it – miqve të fëmijëve.

“Si një agjenci, misioni jetik i së cilës është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve pa dallim, UNICEF feston këtë hap të rëndësishëm duke përgëzuar deputetët e Kosovës të cilët ishin të bashkuar për të aprovuar Ligjin për mbrojtjen e të gjithë fëmijëve”, thuhet në reagimin e Murat Sahin.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it tregon se çfarë nënkupton miratimi i Ligjit.

Për Rijadin, 14 vjeç me paralizë cerebrale, ose Dafinën, një vajzë 10 vjeçare që jeton në familje strehuese, miratimi i këtij Ligji sipas tij është vetëm hapi i parë drejt një rruge që kërkon angazhim nga të gjithë, në mënyrë që Rijadi dhe Dafina të mbrohen dhe të mund të realizojnë potencialin e tyre të plotë.

Murat Sahin u ka bërë thirrje shoqërisë civile, institucioneve dhe organizatave dhe agjencive ndërkombëtare që të punojnë ngushtë me komunitetin për të shpjeguar përfitimet që kanë fëmijët dhe prindërit e tyre nga ky ligj.

“Asnjë fëmijë nuk duhet të neglizhohet, abuzohet, shfrytëzohet dhe çdo fëmijë duhet të pajiset me kujdesin, shëndetin dhe mirëqenien e nevojshme, në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës”, thuhet në reagim.

Murat Sahin premton tutje se UNICEF do të vazhdojë mbështetjen e institucioneve të Kosovës për ta përkthyer këtë Ligj në shërbime për fëmijët.

“UNICEF-i është i mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe do të avokojë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, për të ndihmuar në plotësimin e nevojave të tyre themelore dhe për të zgjeruar mundësitë e tyre për të arritur potencialin e tyre të plotë. UNICEF-i ne Kosove synon të sigurojë që të gjithë fëmijët, pavarësisht nga përkatësia e tyre socio-ekonomike ose etnike, të kenë qasje në shërbime cilësore dhe miqësore dhe mundësi për t’i ndihmuar ata të mbijetojnë, të zhvillohen dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe të bëhen qytetarë aktivë dhe përgjegjës të komunitetit”, thuhet në reagim.