Arrestimi i Marko Gjuriqit, mars 2018

Shefi i OKB-së ‘i shqetësuar’ për sjelljen e Policisë së Kosovës në arrestimin e Marko Gjuriqit

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, është shprehur i shqetësuar për sjelljen e Policisë së Kosovës në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në mars të këtij viti.

Në raportin tremujor për Kosovën drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Guterres kërkoi hetim të hollësishëm për ngjarjet e 26 marsit kur Gjuriq qe arrestuar në Mitrovicë të Veriut dhe ishte sjellë në Prishtinë nën përcjellje të rreptë policore pasi, sipas qeverisë së Kosovës ai kishte hyrë në territorin e Kosovës pa marrë leje paraprake.

“Sjellja e policisë së Kosovës gjatë një operacioni të profilit të lartë siç është arrestimi i z. Gjuriq, i cili rezultoi me një numër lëndimesh, është shqetësues. Duhet të bëhet një hetim tërësor mbi ngjarjet e 26 marsit, me veprime korrektuese në rast të dështimit për t’iu përmbajtur të drejtave të njeriut”, thuhet në raportin për të cilin ka raportuar sot RTS.

Në këtë raport, i cili pritet të shqyrtohet në një nga mbledhjet e ardhshme të Këshillit të Sigurimit, Guterres është shprehur i shqetësuar edhe për, siç shkruhet, shenjat e përkeqësimit në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, sidomos pas arrestimit të Gjuriqit.

“Unë u bëj thirrje të gjitha palëve që t’i mënjanojnë veprimet provokuese dhe të përmbahen nga retorika ndezëse. Kërkoj nga lidershipi në Beograd e Prishtinë që shqetësimet e tyre të vazhdojnë t’i adresojnë përmes dialogut dhe të tregojnë vullnetin e nevojshëm politik për të siguruar normalizim të plotë të marrëdhënieve të tyre të dyanshme”, thuhet në raport.