Driton Gashi, drejtor i AKI-së

Shefi i AKI-së Ishte me Aktakuzë Deri Javën e Kaluar

Ngjarjet për të këto ditë ecën aq shpejt sa brenda pak ditësh ai u lirua nga akuza dhe u ngjit në pozitën e kryespiunit të vendit.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Mustafa shpallën sot emërimin e Driton Gashit në postin vakant të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Ai u emërua në këtë pozitë pas dorëheqjes së mistershme të Agron Selimajt, dy javë më parë.

Por, katër ditë më parë, më 3 shkurt, Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur aktakuzën ndaj tij të ngritur më 30 maj 2016.

Aktakuza e rëndonte sekretarin e derisotëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në aktvendimin e siguruar nga KALLXO.com shihet se aktakuza u hodh pasi nga ajo u tërhoq prokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Feti Tunuzliu.

Aktvendimi i për tërheqje nga akuza ndaj shefir tv ri të AKI-së.
Aktvendimi i për tërheqje nga akuza ndaj shefir tv ri të AKI-së.

“Më datë 1 shkurt 2017 prokurori i çështjes përmes parashtresës i është drejtuar Gjykatës me të cilën ka hequr dorë nga aktakuza ndaj Driton Gashit me arsyetimin se nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbështetur dyshimin e bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën që i vihet në barrë”, thuhet në aktvendim.

Para tërheqjes së prokurorit për këtë rast gjyqësor është mbajtur vetëm një seancë, ajo e shqyrtimit fillestar, më 18 janar 2017, ku është lexuar aktakuza ndërsa Driton Gashi është deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza e përpiluar nga prokurori Tunuzliu e ngarkonte Driton Gashin se në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së, më 9 shtator 2013 paraprakisht ka marrë vendimin për zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës të 2 gushtit 2013 duke konstatuar që Luan Ismajli të kthehet në pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Sigurimin e Aviacionit në Departamentin për Siguri Publike të MPB-së, pasi paraprakisht ishte larguar nga ajo pozitë.

Në aktakuzë thuhej që vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit, pra më 9 shtator 2013. Pas këtij vendimi, po të njëjtën ditë, sipas aktakuzës, Gashi e kishte sjellë edhe vendimin që Luan Ismajli të emërohet në këtë pozitë e pastaj më 4 tetor 2013 e kishte ndryshuar këtë akt-emërim me një akt-emërim të veçantë formal duke e transferuar Luan Ismajlin nga kjo pozitë në pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Regjistrim Civil të MPB-së prej 7 tetor 2013 për nevoja të institucionit.

Sipas aktakuzës, Gashi kishte dalë jashtë përgjegjësive taksative të parashikuara me dispozitat e Ligjit për Administratën Shtetërore të Kosovës.

Prokuroria pretendonte se ky transfer ishte ndaluar sipas rregullores për transferimin e nëpunësve civilë ngase nuk ka qenë i përshtatshëm për kushtet dhe benificionet e pozitës së të dëmtuarit por ka qenë pozitë më e disfavorshme se pozita paraprake dhe ka ndikuar negativisht në zhvillimin e karrierës së tij.