Dron amerikan - Foto: REL/AFP

ShBA ‘ka nisur sulm kibernetik’ ndaj Iranit

Mediat amerikane raportojnë se ShBA-ja ka nisur sulm kibernetik ndaj sistemeve kompjuterike të ushtrisë iraniane më 20 qershor, vetëm disa orë pasi Irani rrëzoi një dron amerikan.

Washington Post dhe Associated Press, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, raportuan se ky sulm është kryer me miratimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Megjithatë, zyrtarët e mbrojtjes së ShBA-së refuzuan që të konfirmojnë këto raportime.

Sulmi kibernetik vjen pasi Trump, fillimisht miratoi, pastaj anuloi, sulmet ajrore ndaj disa caqeve brenda Iranit, duke thënë se kundërpërgjigja për dronin e rrëzuar nuk do të ishte “proporcionale” dhe se sulme të tilla do të mund të çonin në humbjen e jetëve të ushtarëve dhe civilëve iranianë.

Trump tha se në vend të sulmeve, SHBA-ja do të vendosë sanksione të rënda ndaj Iranit më 24 qershor, por nuk dha më shumë detaje.

Por, presidenti Trump së bashku me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, duket se zbutën gjuhën e ashpër, që kohët e fundit kanë përdorur ndaj Iranit.

Presidenti tha se është i hapur që të arrihet një marrëveshje e shpejt me Iranin, që sipas tij, do të ndihmonte Republikën Islamike të rimëkëmbej nga kriza shkatërruese ekonomike, që në masë të madhe është shkaktuar nga ndalesat financiare të vendosura nga ShBA-ja.

Nëse Teherani do të hiqte dorë nga armët bërthamore, Trump tha se ai do të bëhej “shoku më i mirë” i Iranit.

Në një deklaratë më 22 qershor, sekretari Pompeo tha se “kur regjimi iranian do të vendosë të heqë dorë nga dhuna dhe t’i përgjigjet diplomacisë sonë me diplomaci, ai (Irani) do të dijë se si të kontaktojë me ne”, u shpreh Pompeo.

“Deri atëherë, diplomacia jonë e izolimit dhe fushata e presionit ekonomik ndaj regjimit do të intensifikohet”, tha sekretari Pompeo.

Washington Post ka raportuar se Trump ka autorizuar Komandën Kibernetike të ShBA-së që të sulmojë kompjuterët ushtarakë iranianë, pasi më 20 qershor, Garda Revolucionare Islamike e Iranit rrëzoi një dron amerikan.

Teherani ka thënë se droni po fluturonte mbi territorin e tij, përderisa Pentagoni thotë se droni ishte mbi ujërat ndërkombëtare në momentin kur është rrëzuar.

Associated Press ka cituar dy zyrtarë amerikanë të kenë thënë se sulmi kibernetik ka pasur për cak sistemin kompjuterik të Gardës së Iranit.

Ndërkaq, Washington Post raporton se sulmi ka shkatërruar mundësinë e kompjuterëve për të kontrolluar raketat dhe lëshimin e tyre.

Washington Post dhe AP thanë se sulmi kibernetik është zhvilluar që disa javë, teksa tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur.

ShBA-ja e fajëson Iranin për sulmet ndaj cisternave të naftës në Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit. Irani, në anën tjetër, mohon çdo përfshirje në këto sulme. (REL)