SHBA-ja rrëzon një aeroplan pa pilot iranian

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se marina amerikane ka qëlluar një aeroplan pa pilot iranian, në ngushticën e Hormuzit.

“Anija mori masa mbrojtëse kundër një aeroplani iranian që ishte në një distancë shumë të afërt, afërsisht 900 metra, duke injoruar thirrjet e shumëfishta, dhe duke kërcënuar sigurinë e anijes dhe të ekuipazhit të anijes”, tha presidenti Trump.

Presidenti i SHBA-së e quajti incidentin, si provokimin e fundit nga ana e Iranit, kundër anijeve që lundrojnë në ujërat ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara rezervojnë të drejtën për të mbrojtur personelin, objektet dhe interesat tona”, tha Trump.

Irani tha se nuk kishte informata për humbjen e një aeroplani.

Në qershor, Irani rrëzoi një aeroplan ushtarak amerikan në këtë zonë.

Tensionet në rajonin e Gjirit vazhdojnë të jenë të larta.

Të enjten, Teherani tha se kishte konfiskuar një “cisternë të huaj” dhe ekuipazhin e saj për shkak të “kontrabandës me naftë” në Gjirin Persik.

Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Teheranit për lirimin e menjëhershëm të cisternës.