Foto: Kallxo.com

SHBA falënderohet nga sheshi ‘Bill Clinton’

Për nder të 4 Korrikut, përvjetorit të 242 të pavarësisë së Amerikës, shoqata “Miqtë e Amerikës” në bashkëpunim me FSK dhe kolegjin UBT, kanë organizuar aktivitete në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Me këtë rast u bë ngritja e flamurit amerikan nga Garda Ceremoniale e FSK-së.

Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se qëllimi i këtij organizimi është të dërgohet mesazhi se populli i Kosovës është falënderues ndaj SHBA-së për ndihmën e dhënë dekadave të fundit për çlirim dhe pavarësim.

“Pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne nuk do të mund të arrinim këtë liri dhe këtë organizim, prandaj ky mesazh shkon drejt qytetarit të thjeshtë amerikan që derisa jeni ju duke festuar, një popull në Kosovë po e feston festën e juaj, ashtu siç e festojmë festën tonë”, tha Rexhepi.

I ftuar nderi ishte ushtari amerikan nga Ajova, James Grimaldi, i cili u shpreh falënderues për këtë organizim dhe duke shtuar së Kosova ka shumë për të kaluar, por në këtë rrugë ai premtoi ndihmën e mëtejme amerikane.

Foto: Kallxo.com

“Shteti im është pavarësuar shumë vite më parë, dhe do të thotë shumë për mua që të vij në një shtet që është pavarësuar viteve të fundit, i cili ringjall shpresat për të ardhmen. Ne kemi kaluar në shumë vështirësi, Kosova ende ka shumë për të kaluar, por Amerika dhe shtetet e zhvilluara do t’ju ndihmojnë ta vazhdoni rrugën përpara”, tha ai.

Në rastin e 4 Korrikut, falënderues ndaj ndihmave të Amerikës, u shpreh edhe drejtori i Bashkëpunimit Civil – Ushtarak në Ministrinë e FSK-së, Hajrush Kurtaj, i cili tha se Amerika ka rol të veçantë në shtetndërtimin e Kosovës.

Në kuadër të ceremonisë, për kontributin e dhënë për lirisë dhe pavarësinë e Kosovës, performuan kori i grave “Nexhmije Pagarusha”, që interpretuan dy këngë të shkurtra.

Shoqata “Miqtë e Amerikës” tashmë e disa vite ka traditë manifestimin e shënimit të pavarësisë së SHBA-së.