Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert - Foto: REL/AP.

ShBA dënon Sirinë për njohjen e Abhazisë dhe Osetisë Jugore

Shtetet e Bashkuara e dënuan vendimin e Sirisë për të njohur dy rajonet separatiste të Gjeorgjisë, Abhazinë dhe Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha përmes një deklarate se ShBA-ja “e dënon fuqishëm synimin e regjimit sirian për të krijuar marrëdhënie diplomatike me rajonet gjeorgjiane të Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, të pushtuara nga Rusia”.

“Këto rajone janë pjesë e Gjeorgjisë”, tha Nauert.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbi Abhazinë dhe Osetinë Jugore është i palëkundur”, shtoi ajo.

Deklarata e saj vjen një ditë pasi Gjeorgjia ka thënë se do t’i reduktojë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë, pas vendimit të Damaskut për të njohur Abhazinë dhe Osetinë e Jugut si vende të pavarura.

Bashkimi Europian po ashtu e dënoi veprimin e Sirisë, duke thënë se “shkel ligjin ndërkombëtar”.

Osetia e Jugut dhe Abhazia janë rajone separatiste, të mbështetura nga Rusia, që kanë shpallur pavarësinë nga Gjeorgjia.

Rusia i ka njohur ato si shtete të pavarura pas një lufte pesëditore me Gjeorgjinë në vitin 2008.

Venezuela, Nikaragua dhe ishulli Nauru i Paqësorit e kanë njohur po ashtu pavarësinë e Abhazisë dhe Osetisë së Jugut. (REL)