Shaqir Sylmetaj shpallet i pafajshëm për vdekjen e Arjeta Sylajt

 

Gjykata e Gjakovës, me kryetarin e trupit gjykues gjyqtarin Shaqir Zika, ndaj të akuzuarit Shaqir Sylmetajt mori aktgjykim lirues.

Sylmetaj akuzohej për mosdhënie të ndihmës, ndaj tani të ndjerës Arjeta Sylaj.

Në arsyetimin e aktgjykimit lirues, thuhet se nuk është vërtetuar se i akuzuari Shaqir Sylmetaj, ka kryer veprën penale të mosdhënies së ndihmës dhe se nga të gjitha provat e administruara nuk është vërtetuar fajësia e të njëjtit, e as nuk është përmbushur kushti ligjor që është dashja.

Ndërsa e dëmtuara Ajmone Sylaj, u udhëzua në kontest civil.

Sipas aktakuzës, që të dy kishin darkuar dhe konsumuar pije alkoolike, disa orë para vdekjes së Arjetës.

Rrugës për t`u kthyer në shtëpi, të ndjerës Arjeta i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore duke e humbur vetëdijen dhe i akuzuari Shaqir Sylmetaj në vend që ta dërgonte në spital, ai e kishte çuar te nëna e saj, thuhet në aktakuzë.

Në gjykimin e kaluar të drejtuar nga gjyqtari Shaqir Zika, i asistuar nga gjyqtaret Myfera Hoxha dhe Manduhije Syla, kishte dëshmuar Ajmone Sylaj, nëna e tani të ndjerës.

Ajo kishte rrëfyer për dijeninë e saj për lidhjen e dashurisë së vajzës së saj me të akuzuarin.

Pas Ajmone Sylajt kishte dëshmuar edhe eksperti mjeko-ligjor Musa Gashi, duke thënë se shkalla e lartë e alkoolit e ka dërguar të ndjerën deri tek vdekja.

Ndërsa i akuzuari Sylmetaj, duke kërkuar nga gjykata që ta liroj nga akuza, ai kishte treguar për raportet teje të mira me viktimën.

https://kallxo.com/nena-rrefen-si-i-vdiq-e-bija-pasi-kishte-dale-me-te-akuzuarin/

.