Shaip Havolli: Duhet të zgjerohet lista e zyrtarëve që e deklarojnë pasurinë

Komisioni Parlamentar për Legjislacion ka shqyrtuar Raportin Vjetor të punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2017.

Drejtori i AKK-së Shaip Havolli gjatë raportimit para këtij komisioni ka thënë se sa i përket ligjit për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë planifikohet zgjerimi i listës së zyrtarëve të lartë publikë.

“Vlerësimi i riskut që e kemi bërë si grup punues kemi ardhur në përfundim se duhet kjo listë të zgjerohet sepse shumë institucione dhe shumë zyrtarë janë të ekspozuar ndaj korrupsionit por nuk gjinden në listën e deklarimit të pasurisë”, tha Havolli.

Gjithashtu, sipas Havollit pasuria për momentin vetëm deklarohet por nuk kërkohet shumë në detaje prej nga vjen kjo pasuri.

“Me këtë ligj precizohet që zyrtarët e lartë të paraqesin prejardhjen e pasurisë”, tha ai.

Te deklarimi i dhuratave, sipas Havollit, janë 11 institucione që kanë deklaruar se kanë pranuar dhurata, ndërsa 36 institucione të tjera kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata.

Sipas tij, strategjia kombëtare Kundër Korrupsionit është hartu dhe është aprovuar nga ana e qeverisë, e pastaj është dërguar në kuvend dhe sipas tij është mirë të aprovohet sa më shpejt.

“Edhe Transparency International Kosovën e ka renditur 10 vende më lartë po ashtu edhe raporti i progresit agjencinë e qet si agjencion kredibil që i ka përmbushë aktivitetet e veta”, tha Havolli.

E kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se a ekziston një mundësi që AKK me pas qasje në shpenzimet, të hyrat, financat e subjekteve politike.

Blerim Kelmendi, drejtor i departamentit në agjencinë për luftimin e korrupsionit në kuadër të  AKK-së tha se me bazën ligjore aktuale në fuqi e kanë në kopmpetencë që raportet e audituar të financave të partive politike dhe të kampanjave të tyre t’i marrin në trajtim pasi të auditohen dhe, sipas tij, KQZ ka qenë e obliguar që t’i përciellë ato raporte në agjenci që më pas të trajtohen tutje.

“Ligji aktual është në plotësim ndryshim. Aty është propozuar me mbet kompetencë e AKK me i shqyrtuar raportet pas auditimit”, tha Kelmendi.

Në këtë komision është miratuar edhe raporti me anmandamente i komisionit funksional në projektligjin për Liritë Fetare në Kosovë.