Burimi Facebook

Sfidat e Teatrit të Mitrovicës

Pa mbështetjen e duhur financiare, pa objekt të vetin, pa xhirollogari bankare dhe pas staf artistik -teknik, teatri i qytetit të Mitrovicës, ende mbetet larg të qenit një teatër i mirëfilltë profesionist.

Situata me të cilën po përballet aktualisht Teatri i Qytetit të Mitrovicës, nuk dallon shumë nga situata që po kalojnë edhe teatrot tjera profesioniste nëpër qytetet kosovare.

Adem Zhitopotoku, drejtori i Teatrit të Qytetit të Mitrovicës në një bisedë për KALLXO.com, ka thënë se  teatri që ai drejton, që nga themelimi i tij, më 2011, vepron në objekt jo përkatës, në hapësira të Qendrës së Kulturës nga shkaku se nuk posedon objekt të veçantë për teatër.

Kushtet ku zhvillohen aktivitetet teatrore, sipas tij,  nuk janë të dëshirueshme, dhe menaxhmenti i TQ të Mitrovicës përballet me disa mangësi, duke filluar nga salla ku prezantohen shfaqjet, sepse, siç ka thënë ai,   kjo sallë është e ndërtuar për nevoja tjera, jo për teatër dhe është adaptuar për teatër më vonë.

“Muret dhe trajet janë beton dhe ky fakt e humbë akustikën, pastaj kemi edhe mungesa tjera si: zhveshtoret për aktorë, grimoret, depo për dekor skene”, ka thënë drejtori Zhitopotoku.

Teatri me ‘xhepa bosh’

Megjithatë problemi financiar mbetet problemi më i rëndë për Teatrin e Mitrovicës dhe ky problem ndikon direkt në zhvillimin artistik të teatrit.

“T. Q. M. realizon një shfaqje në vit, sepse aq edhe ka mjete buxhetore,  Ministria e Kulturës çdo vit ndan grande për teatrot e qyteteve dhe nga kjo mbështetje e ministrisë që përfiton teatri ynë realizojmë një shfaqje”, ka thënë ai, duke shtuar se pret që ky problem të tejkalohet me ligj dhe në vitin 2019, gjashtë Teatrot e Qyteteve të Kosovës t’i kenë ansamblet rezidente dhe nënkodet e veta buxhetore.

Meqë siç ka thënë ai  çështja e financimit të komunave për teatrot, në këtë rast edhe teatrin që ai drejton ligjërisht nuk janë të rregulluara si duhet.  Pasi sipas tij, komuna me ligj nuk  obligohet por as pengohet të ndajë buxhet vjetor për teatër.

“Ligji e thotë ‘Komuna mund ta mbështes teatrin…”  që nënkupton se, po pate mjete të bollshme atëherë financoje edhe teatrin”, ka pohuar ai.

Për shkaka të mungesave financiare, gjatë këtij viti ky teatër nuk ka marrë asnjë cent nga Komuna e Mitrovicës.

Funksionimi në Qendrën e Kulturës

Por, përkundër mungesave dhe kushteve Zhitopotoku ka thënë se falë bashkëpunimit të mirë dhe mirëkuptimit që ka stafi i Qendrës së Kulturës, karshi T.Q.M., teatri i Mitrovicës po ia del një farë mënyre të evitojë sfidat dhe të realizojë edhe shfaqje të mira, në të kundërtën, ka potencuar ai,  teatri i qyteti do të ballafaqohet me probleme të mëdha.

Këtë vit në repertuarin e të këtij teatri është shfaqja “Shtëpia në Kufi “ e regjisorit Ekrem Sopi e cila është realizuar si premierë në muajin prill të 2018.

“Shfaqja është mirëpritur nga shikuesi Mitrovicas, ndoshta pse trajton një temë të ndjeshme e cila ka ngjashmëri me rrethanat e qytetit dhe aktualitetin e Mitrovicës  Edhe reprizat e shfaqjeve jepen në sallën e njëjte këtu në Qendrën e Kulturës ku e kemi edhe selinë e TQM-së”, ka potencuar drejtori Zhitopotoku.