Daniel Serwer

Serwer: Administrata amerikane me njerëz që kundërshtuan pavarësinë e Kosovës

Analisti dhe profesori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer paralajmëroi se administrata e re amerikane është ‘veshëhapur’, ndaj ideve për ndarjen e Kosovës.

Në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Serwer u pyet nëse me ardhjen e presidentit Donald Trump, qasja amerikane ndaj Kosovës ka ndryshuar.

Ai pohoi se brenda kësaj administrate po dëgjohen edhe persona me ide për ndarje të Kosovës.

“Kjo është një administratë e re me shumë pak përvojë në Ballkan dhe është një administratë etnikisht nacionaliste, dhe kur Daçiqi ka ardhur në Uashington që ta shtyjë këtë ide, kjo administratë ishte e gatshme ta dëgjojë sepse kjo ide përmban në vete parime etnikisht nacionaliste. Kjo administratë e përfshin edhe njerëz si Xhon Bolton që ishin kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës dhe s’ka mënyrë më të mirë ta shkatërrosh trashëgiminë e Klintonit se sa të avokosh që të kesh veshë për njerëz që duan ta ndajnë Kosovën”,tha ai.

Analisti që kishte qenë edhe këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi foli lidhur me diskursin e fundit të dy presidentëve për korrigjim të kufijve.

“Unë personalisht nuk e besoj këtë gjë, por Hashim Thaçi ka folur me zyrtarë amerikanë më shumë se unë dhe unë nuk e di se çka i kanë premtuar atij. Por do të isha shumë skeptik. Një gjë që duhet ta kuptojmë është që ndarja e Kosovës prej pikëvështrimit të 5 vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe prej pikëvështrimit të Kinës është më keq se sa pranimi i Kosovës në OKB pa u bërë ndarja e Kosovës”, tha ai.

Në këtë emision u shfaqën pikëpamjet shqiptare, serbe e ndërkombëtare mbi idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një tryezë lidhur me idenë e shkëmbimit të territoreve, diskutuan liderët e partive në pozitë dhe opozitare.

Po ashtu, në një intervistë ekskluzive, analistri serb Dragomir Angjellkoviq komentoi këtë çështje.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: