Foto-ilustrim

Sërish Shtyhet Gjykimi për Vrasjen që Dyshohet se Ndodhi për një Borxh

Gjyqtarja e rastit sërish ka shtyrë seancën e shqyrtimit fillestar në gjykimin për vrasjen e Mentor Zekajt, ku i akuzuar është Kreshnik Haliti.

Seanca është shtyrë me arsyetimin se mbrojtjes prokurori i rastit nuk ia ka sjellë disa prova materiale.

Bahtir Troshupa, avokat i të akuzuarit Kreshnik Haliti u ankua në fillim të seancës se nuk ka pranuar nga prokurori i rastit disa CD, ku janë video-xhirimet e vendit të ngjarjes.

“Janë disa CD që neve na mungojnë nga prokuroria. Janë disa xhirime nga vendi i ngjarjes, disa kamera të banesave apo lokaleve, të cilat nuk i ka siguruar mbrojtja nga prokurori me arsyetim se nuk ka kushte që të njëjtat t’i sigurojë”, tha avokati Troshupa.

Ai po ashtu u ankua së gjatë fazës së hetimeve për shkaqe shëndetësore i akuzuari nuk ka arritur të deklarohet para prokurorit të rastit, por ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të të mbrojturit të tij, avokati tha se në konsultim me të pandehurin kishte shkuar në zyrë te prokurori dhe kishin caktuar seancën e intervistimit të të pandehurit më 29 shtator.

Troshupa tha se klientit i tij disa ditë para intervistimit nga prokurori sërish kishte pasur probleme shëndetësore.

“Pas tri ose katër dite të pandehurin e kanë dërguar në spitalin e burgut të Dubravës dhe nuk ka pasur mundësi të intervistohet. Pesë ditë para seancës unë i kam dërguar shkresë prokurorit, kërkesë për anulimin e seancës se datës 29 shtator derisa të kthehet prej spitaliti pandehuri dhe mora përsipër ta njoftoj gjyqtarin e procedurës paraprake pasi që ishte skadimi i afatit të hetimeve. Të nesërmen në mëngjese përmes telefonit zyrtar kam komunikuar me prokurorin dhe më ka thënë: unë mendoj me ngritë aktakuzën. Unë e kam lutur mos ta ngritë aktakuzën pa e intervistuar”, tha më tej avokati Troshupa.

Kurse, prokurori i rastit, Ardian Hajdaraj, tha së për shkaqe teknike dhe objektive nuk ka mundur t’ia sigurojë mbrojtjes CD-të me video-incizime, por shtoi se të njëjtat janë të cekura në shkresat e lëndës të cilat i janë dorëzuar avokatit mbrojtës.

“I kam në shkesa të lëndës se të gjitha provat dhe gjitha shkresat ia kam dorëzuar mbrojtjes. Sa i përket CD-ve është e vërtetë se për shkaqe objektive dhe teknike nuk kemi pasur mundësi t’ua sigurojmë një kopje, mirëpo mbrojtjes i janë dhënë të gjitha video-incizimet e pasqyruara në raportin e policisë të datës 30/03/2017. Në ketë raport janë të pasqyruara të gjitha video-incizimet një nga një”, tha prokurori Hajdaraj

Ai kërkoi një javë kohë nga gjykata që CD-të t’ia dorëzojë mbrojtjes.

Ndërsa sa i përket kërkesës se mbrojtjes që aktakuza të kthehet krejtësisht, prokurori atë e quajti të pabazuar.

“Sa i përket mbrojtjes që edhe njëherë të deklarohet i pandehuri me procedurë të hetimeve, me kërkesë që akuza të kthehet përsëri, kjo është krejtësisht kërkesë e  pabazuar e mbrojtjes”, tha Hajdaraj.

Ai tha se verbalisht ishin dakorduar me mbrojtësin e të pandehurit për caktimin e një seance dëgjimore, mirëpo prokurori tha se kishte pranuar një email më 24 shtator nga avokati Troshupa që seanca të shtyhet në fund të muajit nëntor ose fillim të dhjetorit, pa u caktuar fare sipas tij.

“Në kërkesë si arsye janë dhënë se i pandehuri ka probleme shëndetësore dhe se i pandehuri aktualisht gjendet në spitalin e burgut të Dubravës”, tha prokurori

“Meqenëse të pandehurit i është dhënë e drejta dhe ai është mbrojtur në heshtje, atë deklaratë mund ta japë edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor, mirëpo unë për të mos e zvarritur procedurën kam ngritur aktakuzën me kohë brenda afatit ligjor”, u shpreh Ardian Hajdaraj.

Gjyqtarja e rastit, Lumturije Muhaxheri, pasi kërkoi 5 minuta pauzë, mori aktvendim që seanca të shtyhet për më 20 tetor.

Ajo po ashtu e obligoi prokurorin e shtetit që mbrojtjes t’ia sigurojë mbrojtjes CD-të.

Seanca e shqyrtimi fillestar për vrasjen e Mentor Zekaj ishte shtyrë edhe para 5 ditëve, për shkak së i akuzuari Kreshnik Haliti nuk ishte sjellë në gjykatë nga Njësiti i për Përcjelljen e të Burgosurve të Burgut të Dubarvës.

Në këtë proces gjyqësor Kreshnik Haliti akuzohet për vrasje të rëndë të Mentor Zekajt.

Pasditen e 6 marsit të këtij viti, Mentor Zekaj nga të shtënat e amës së zjarrit kishte mbetur i vdekur në lagjen “Fidanishte” të Pejës.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, Kreshnik Haliti kishte deklaruar se ndjen keqardhje për rastin e ndodhur dhe se ditën kritike “kishte lindur për së dyti”.

KALLXO.com kishte raportuar një ditë pas vrasjes se borxhi dyshohet të ishte motivi i kësaj vrasjeje.