Serbia po shqyrton dërgimin e Kosovës në Arbitrazh shkaku i taksës

Serbia po shqyrton mundësinë e dërgimit të Kosovës në Arbritrazh për shkak të shkeljes së Marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA-a, duke vendosur tarifën 100 përqind për mallrat serbe.

Kështu bëri të ditur kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq në kuadër të Samitit digjital që po mbahet në Beograd.

“Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur interesat e Serbisë në këtë moment dhe se të gjithë ata që nënshkruan marrëveshjen (CEFTA) bartin pasojat në përputhje me kontratën e nënshkruar”, tha Bërnabiq në një konferencë për media.

Ajo përsëriti se negociatat e Beogradit me Prishtinën për normalizimin e marrëdhënieve nuk do të vazhdojnë derisa Prishtina të shfuqizojë tarifën mbi mallrat nga Serbia.

“Nuk ekziston rrugë tjetër përveç bashkëpunimit dhe asnjë vend apo territor i rajonit nuk do të jetë stabil nëse nuk është stabil i tërë rajoni” theksoi kryeministrja serbe.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar vendosi tarifën mbi mallrat serbe dhe të Bosnjës.

Këtë masë ajo tha se po e ndërmerr për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës që po e zhvillon Serbia.

Ndërkaq tarifën ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës e arsyetoi me faktin se ky vend nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe vazhdimisht pengon lëvizjen e lirë të qytetarëve.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga autoritetet në Prishtinë të shfuqizojë në tërësi ose të pezullojë përkohësisht tarifën, mirëpo kjo kërkesë ende nuk është marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës.