Eksporti - Foto: REL/EPA

Serbia po e humb titullin e liderit për shitje të mallrave në Kosovë

Të dhënat për tregtinë e jashtme të Kosovës të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 2.1 për qind në muajin dhjetor 2018 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Përkthyer në shifra, deficiti  vitin e kaluar ishte 273,5 milionë euro, krahasuar me 267,8 milionë euro në vitin 2017.

Eksporti mbulon importin  9.7 për qind

Sa i përket eksportit të mallrave, në muajin dhjetor 2018 kishte vlerën 29,4 milionë euro, ndërsa importi 302,9 milionë euro, që është një rënie prej -0.2 për qind për eksport dhe një rritje prej 1.9 për qind për import, duke krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, raporton KALLXO.com.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, metalet bazë dhe artikujt e tyre janë kontribuuesit më të mëdhenj të eksportit.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 39.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.9% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8.5% produktet minerale, 5.9% produktet bimore, 4.6% artikujt e ndryshëm të prodhuar, 3.3% produktet e industrisë kimike etj.”, tregon ASK.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 15.4 për qind e përbëjnë produktet minerale, 14.8 makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.4 ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12 mjetet e transportit, 8.3 metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 6.4 produktet e industrisë kimike,  5.1 për qind e përbëjnë tekstil dhe artikujt prej tij, 5 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

155 milionë euro mallra erdhën nga BE-ja në dhjetor

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 7,3 milionë euro, ose rreth 25 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 7.1 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania 6.7 për qind, Holanda 3.4, Italia 2.8, Sllovenia 2.3 për qind, etj., raporton KALLXO.com.

Tutje ASK thotë se importet u rritën rreth 13 për qind me partnerë kryesorë Gjermaninë.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 155,1 milionë euro, ose 51.2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.1%), Italia (6.3%), Greqia (5.9%), Sllovenia (5.3), Polonia (2.9%) etj.”, njofton Agjencia e Statistikave.

Maqedonia partneri i parë tregtar i Kosovës  nga CEFTA

Në muajin dhjetor 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 13,3 milionë euro, ose 45.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 11.8 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria 23 për qind, Maqedonia 10.8, Serbia 5.6, dhe Mali i Zi 4.6 për qind.

Maqedonia furnizoi më së shumti me mallra Kosovën në muajin e festave.

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin dhjetor 2018, arritën në 42,3 milionë euro, ose 14.0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-46.8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin:  Maqedonia (5.8%), Shqipëria (5.7%) dhe Serbia (1.8 %).”, bën të ditur komunikata e Agjencisë së Statistikave.

Shkëmbimi i mallrave me vendet tjera

Eksportet e Kosovës me këto vende ishin rreth 9 milionë euro, ku partner kryesor ishte India.

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8,7 milionë euro, ose 29.7%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (19.0%), dhe  Zvicra (5.7%).”, thekson ASK, raporton KALLXO.com.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 105,4 milionë euro, ose 34.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 10.7 për qind dhe Kina 9.8 për qind.

Në muajin nëntor, Shqipëria ishte e para nga vendet e CEFTA-s për shkëmbimin e mallrave me Republikën e Kosovën

https://kallxo.com/shqiperia-ia-merr-primatin-serbise-per-ti-shitur-mallra-kosoves/

www.kallxo.com