Serbia për Import, India për Eksport

Muaji dhjetor 2015 është karakterizuar me një deficit prej 230 milionë eurosh, krahasuar me vlerën prej 198.5 milionë eurosh që ishte në periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Eksporti mbulon importin me 9.3 për qind.

Vetëm në muajin dhjetor 2015 Kosova arriti të eksportojë 23.5 milionë euro, ndërsa importi ishte 253.6 milionë euro. Duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014, eksportet kanë pasur rënie prej 10.8 për qind dhe një rritje të importeve prej 12.7 për qind.

Sipas të dhënave të ASK-së metalet bazë dhe artikujt e tyre përbëjnë pjesën më të madhe për eksport me 45.5 për qind, të pasuara nga produktet minerale me 13.8 për qind, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 9.4 për qind, plastika, goma dhe artikuj e tyre me 6.3 për qind, tekstili me 5.5 për qind, produktet bimore me 5.2 për qind, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike përbëjnë 16 për qind të tij, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani 15.1 për qind, produktet minerale me 10.8 për qind, metalet bazë dhe artikujt e tyre 9.9 për qind, mjetet e transportit 7.8 për qind, ndërsa produktet e industrisë kimike, bimore, plastika, goma dhe artikuj e tyre vazhdojnë të importohen më pak.

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partnerë kryesorë tregtarë për këtë periudhë janë vendet e CEFTA-s, me 35.4 për qind për eksport dhe import 24.6 për qind, ndërsa vendet e BE-së marrin pjesë me 20 për qind për eksport dhe 43.0 për qind për import.

Kosova për muajin dhjetor 2015 më së shumti eksportoi në Indi 16.4 për qind, pastaj në Shqipëri 13.3 për qind, Serbi 10.7 për qind, Maqedoni 9.1 për qind, Gjermani 4.4 për qind dhe Zvicër e Turqi me 4.3 për qind.

Ndërsa, nga të dhënat importi vazhdon të mbetet ende i lartë nga Serbia me 12.7 për qind, pasuar nga Turqia 12 për qind, Gjermania 11.9 për qind, Kina 9.4 për qind, Italia 9.2 për qind dhe Maqedonia me 5.0 për qind.