Serbia Kthen në Kosovë Tekstet në Gjuhën Shqipe
Rreth 100,000 tekste të shkollave fillore të destinuara për fëmijët etnikë shqiptarë në Serbinë jugore u kthyen në Kosovë, të martën, pasi u mbajtën për më shumë se gjashtë muaj në një terminal doganor në Preshevë.
Autoritetet e Beogradit refuzuan të lejonin që kamionët me libra shkollorë në gjuhën shqipe të shpërndaheshin në shkollat në Luginën e Preshevës, duke argumentuar se ata ishin politikisht të njëanshëm.
Azem Guri, një këshilltar politik i ministrit të arsimit të Kosovës, tha se kamionët ishin në anën kosovare të kufirit dhe se Prishtina do të vazhdojë t’i kërkojë Beogradit t’i lejojë ata të shpërndahen në shkolla.
Guri shtoi se ministri i arsimit Arsim Bajrami do t’i kërkojë qeverisë serbe të respektojë marrëveshjen e arritur në shtatorin e kaluar, kur Kosova dhe Serbia ranë dakord të shkëmbejnë libra shkollorë për pakicat në vendet e njëri-tjetrit.
“Ministri Bajrami do të vazhdojë t’i kërkojë Beogradit të respektojë marrëveshjen. Ata kanë ndërmarrë një detyrim dhe duhet ta përmbushin atë,” tha Guri për BIRN.
Sipas një marrëveshje të arritur në shtator të vitit të kaluar, Prishtina duhet të furnizonte me tekste shkollore komunitetet shqiptare në Serbi, ndërsa Beogradi duhet të bënte të njëjtën gjë për serbët në Kosovë – hera e parë që të dyja palët kishin arritur një marrëveshje të tillë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.
Por qeveria e Beogradit tha se librat përmbajnë materiale që janë të papranueshme në Serbi.
“Ju doni që tekste nga Kosova apo Shqipëria të përdoren në Serbi dhe doni që nxënësit në Serbi të mësojnë se Kosova është e pavarur. Kjo nuk do të jetë e mundur,” tha ministri i jashtëm Ivica Daçiç në dhjetor.
Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ka thënë gjithashtu se tekstet shkollore që e përshkruajnë luftëtarin e UÇK-së Adem Jashari si hero kombëtar nuk mund të përdoren në shkollat serbe.
Shqiptarët në Preshevë organizuan një protestë muajin e kaluar, duke bërë thirrje që librat të zhbllokoheshin nga terminali ku mbaheshin.
Që në fillim të vitit shkollor, nxënësit shqiptarë etnikë në Luginën e Preshevës janë pa tekste shkollore, gjë e cila po cenon seriozisht arsimimin e nxënësve, u shpreh Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve.
Sipas regjistrimit të popullsisë të Serbisë në vitin 2002, 61,467 shqiptarë jetonin në Serbi. Shumica e shqiptarëve e bojkotuan regjistrimin e vitit 2011, kështu që numri aktual nuk dihet ende.
Një numër i konsiderueshëm mendohet të ketë emigruar në Kosovë ose në Evropën Perëndimore në vitet e fundit. Por ata përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë së Preshevës. [interaction id=”56d6f0a136e5105a3a3b801f”]