Serbia i dha Kroacisë ‘Informacione të Vjetruara’ për Personat e Zhdukur

Aktivistët shprehën zemërim pasi Kroacia tha se tre persona të zhdukur gjatë kohës së luftës, për të cilët presidenti i Serbisë së fundmi dha informacione, në të vërtetë ishin gjetur më parë.

Një shoqatë e shquar kroate për personat e zhdukur deklaroi të hënën se institucionet serbe nuk kanë vullnet për të bashkëpunuar për gjetjen e personave të mbetur të zhdukur nga lufta e viteve 1990, pasi informacionet e dorëzuara nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq këtë muaj rezultuan të vjetruara.

Gjatë takimit të tij me presidenten kroate, Kolinda Grabar Kitaroviç, në Zagreb në mes të shkurtit, Vuçiq solli informacione rreth tre shtetasve kroatë të dyshuar të zhdukur nga koha e luftës.

Ai dorëzoi gjithashtu të dhëna certifikatash lindjeje dhe informacione të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e serbëve të Kroacisë të zhdukur gjatë dhe pas operacionit ushtarak “Stuhia” të Kroacisë në vitin 1995.

Megjithatë, Komisioni Kroat për Personat e Burgosur dhe të Zhdukur – pjesë e Ministrisë së Veteranëve të Luftës – tha të shtunën se informacionet e dorëzuara nga Vuçiqi rezultuan se ishin për njerëz që tashmë ishin gjetur.

Komisioni tha se edhe pse të dhënat “u dhanë në mirëbesim” nga Vuçiqi, ato rezultuan se ishin për njerëz që tashmë ishin gjetur, por “informacionet personale të të cilave janë shumë të ngjashme” me ato të personave që rezultojnë ende të zhdukur.

Ljiljana Alvir, kryetare e Aleancës së Shoqatave të Familjeve të Veteranëve Kroatë të Luftës të Burgosur dhe të Zhdukur, tha për BIRN se dorëzimi i këtyre informacioneve të vjetra ishte shenjë e “një mungese bashkëpunimi nga institucionet serbe”.

“Kjo është politika e gjatë e fshehjes së informacioneve dhe kjo situatë (takimi midis dy presidentëve) u përdor nga institucionet serbe për të prezantuar dhe njëherë mungesën e tyre të vullnetit për të bashkëpunuar,” pohoi Alvir.

Ajo tha se besonte se takimi midis dy presidentëve në Zagreb “ishte shumë serioz dhe i rëndësishëm” që informacionet për personat e gabuar të ishin sjellë gabimisht.

Por ajo nuk fajësoi Vuçiqin për gabimin, duke argumentuar se ai “nuk do t’ia lejonte vetes” të dorëzonte informacione që ai e dinte se ishte gabim.

Bashkë me përfaqësues të tjerë të shoqatave të personave të zhdukur nga Kroacia, Alvir takoi Vuçiqin në Beograd javën e kaluar.

Ajo tha se e kishte besuar fjalën e Vuçiqit, pasi ai tha se “dëshiron dhe mund” të ndihmojë.

Kroacia po kërkon ende 1,945 qytetarë të saj nga lufta e viteve 1990, fati i të cilëve apo vendndodhja e eshtrave të tyre nuk dihet ende.

Ministria kroate e Veteranëve të Luftës thotë se 1,131 persona rezultojnë të zhdukur nga vitet 1991-1992, prej të cilëve rreth 85-90 për qind ishin kroatë dhe 814 janë të zhdukur nga viti 1995, prej të cilëve rreth 95 për qind janë serbë që u zhdukën pas operacioneve ushtarake kroate “Flash” dhe “Stuhia”.