Gjykata e Lartë në Beograd

Serbia Dënon ‘Spiunin Kroat’

Gjykata e Lartë e Serbisë të martën miratoi një marrëveshje mes Coloviqit dhe Prokurorisë së Lartë të vendit me të cilën ai pranoi akuzat për spiunazh, ndërsa u dënua me tre vjet burg.

“Gjykatësi për procedurat paraprake e deklaroi të pandehurin fajtor për veprën penale të spiunazhit,” tha Gjykata e Lartë në një deklaratë.

Pesëdhjetë e shtatë vjeçari Coloviq u arrestua në Serbi të premten nën dyshimin se spiunonte për Kroacinë.

Në deklaratën e gjykatës nuk jepeshin detaje për aktivitetet e tij të dyshuara.

Por gazeta serbe Blic, duke cituar burime anonime, u shpreh se autoritetet e Zagrebit kishin kërcënuar se do ta ndiqnin penalisht Coloviqin për krime lufte të dyshuara se janë kryer në Kroaci gjatë luftës së viteve 1990 dhe e detyruan atë të punonte për Agjencinë Kroate të Sigurisë dhe Inteligjencës.

Sipas të njëjtave burime, ai mblidhte informacione, dokumente dhe madje rekrutoi ish-oficerë të Ushtrisë Popullore Jugosllave si dëshmitarë për prokurorinë në Kroaci.

Motra e Coloviqit, Anka Borkoviq, ka mohuar që vëllai i saj ishte spiun.

Ajo tha për BIRN se Coloviq dikur kishte pasur grada në një shtet të vogël rebel serb të kohës së luftës në Kroaci, Republika e Krajinës Serbe, edhe pse ajo tha se “nuk ishte e sigurt se çfarë grade saktësisht”.

Ajo tha se ai u plagos në shpatull në vitin 1993 dhe u transferua në një spital në Beograd për kurim. Pas kësaj mori statusin e personit me aftësi të kufizuara dhe iu caktua pension shtetëror.

Ajo shtoi se në vitin 1999 ai u kthye në fshatin e tyre të lindjes, Tepljuh, pranë qytetit Drnis në Kroacinë Jugore, për t’u kujdesur për prindërit e tyre të cilët jetonin atje.

Pasi të dy prindërit vdiqën, ai u rikthye në Beograd në vitin 2004, por u rikthye atje çdo vit për rreth një muaj që të kujdesej për shtëpinë dhe vreshtin e tyre.

“Ai po planifikonte të shkonte atje të premten kur u arrestua. Jam e tronditur. Nuk di çfarë të mendoj më,” tha ajo.

Kryeministri kroat Tihomir Oreskoviq e mohoi të shtunën se Coloviq po spiunonte për Zagrebin, duke e quajtur të gjithë këtë çështje “një provokim” nga ana e Beogradit.

Arrestimi të premten i Coloviqit ka përshkallëzuar tensionet midis Kroacisë dhe Serbisë, të cilat janë përkeqësuar ndjeshëm në muajt e fundit dhe janë shoqëruar me shkëmbime notash të ashpra diplomatike dhe deklaratash të ashpra nga politikanët e të dyja palëve.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, Coloviq do të rrijë në paraburgim derisa të transferohet në burg për të kryer dënimin e tij.