Milorad Zajiq në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Serbi i akuzuar për krimen në Dush të Klinës thotë se e ka ndërgjegjen e pastër

Në gjykimin e Milorad Zajiqit, i cili po akuzohet për krime lufte në rastin e njohur si “Djegia e fshatit Dush të Klinës”, sot u dha fjala përfundimtare.

Prokurorja Habibe Salihu në fjalën e saj përfundimtare tha se kemi të bëjmë me një rast të ndodhur para rreth dy dekadave, duke i propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor sipas ligjit.

Paraprakisht prokurorja e shtetit bëri precizimin e aktakuzës për të akuzuarin Milorad, nga akuza për krime të luftës në veprën penale “organizimi i grupeve për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”.

Prokurorja Salihu tha se sigurimi i provave materiale në kushte të tilla ishte i vështirë, mirëpo të dëmtuarit nuk e kishin aspak problem ta identifikonin fqinjin e tyre Milorad.

Ajo theksoi se nga dëshmitarët bindshëm u vërtetua se është sulmuar fshati Dush i Klinës, u plagosën e vranë pjesëtarë të familjes Marmullaku e dogjën shtëpitë e tyre.

Ndërsa i akuzuari Milorad tha se pretendimet e Prokurorisë nuk janë të vërteta dhe se ai është i pafajshëm.

Ndërkaq avokati Dejan Vasiq deklaroi se duke pasur parasysh ndryshimin e aktakuzës dhe fjalës së tij përfundimtare tashmë të përgatitur, tha se i duhet kohë rreth 20 minuta të përgatis fjalën e tij përfundimtare rreth akuzës së ndryshuar.

Pas kësaj trupit gjykues i përbërë nga kryetari Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët Sami Sharaxhiu dhe Lumturije Muhaxhiri i dhanë kohë avokatit Vasiq.

Në fjalën përfundimtare avokati Dejan Vasiq tha se në vitin 2006 janë dërguar shumë dokumente se i mbrojturi i tij ka bërë vepra penale bashkë me serbët e tjerë.

“Akuzat kanë qenë voluminoze dhe përpilimin e dokumentit e ka bërë dëshmitari Ali Marmullaku. Pasi që Miloradi e ka kuptuar se po akuzohet nga fqinjët e tij, ai ka bërë dokumentin demantim dhe të gjithëve ju ka thënë që është këtu”, tha avokati Dejan Vasiq.

Ai tha se është e pakuptueshme se pse të mbrojturin e tij Milorad Zajiq nuk e kishin lajmëruar qysh atëherë në Polici.

Avokati Vasiq tha se i mbrojturi i tij gjatë 13 viteve kishte jetuar në mënyrë të qetë në Klinë dhe se i njëjti nuk është fajtor për akuzën që i vihet në barrë.

Dejan Vasiq i propozoi Gjykatës që të mbrojturin e tij Milorad Zajiq ta lirojë nga akuza.

Vasiq në fjalën e tij përfundimtare tha se të gjithë dëshmitarët kanë pasur shpërputhje në faza të ndryshme të gjykimit, duke thënë që ka kaluar kohë e gjatë.

Miloradi po akuzohet që në periudhën e krizës ka qenë me uniformë, që ka shkarkuar armë, që shtëpinë ju ka dhënë serbëve, kështu siç kanë thënë dëshmitarët e këtij gjykimi.

“Nuk është e ndaluar të bartet uniforma e luftës, e Miloradi atë kohë nuk ka jetuar në Dush por në Klinë. Konsideroj se nuk janë vërtetuar faktet e mbështetura në aktakuza, nëse janë të dënueshme”, tha avokati Dejan Vasiq.

Ai tha se akuza më e ashpër është dhënë me rastin e dëshmisë së dëshmitarit me rëndësi të veçantë, që Miloradi ka shtënë në dy shqiptarë, një gjë e tillë vetëm është supozuar e jo që është parë.

“Dëshmitarët janë njerëz të thjeshtë që kanë përjetuar trauma të luftës që edhe tani i kanë në kujtesë, dhe për këto unë me të mbrojturin tim kemi shprehur keqardhje të veçantë”, tha avokati Vasiq.

Duke supozuar ai tha që këto ngjarje të fundit mund të kishin qenë një arsye politikisht e nevojshme.

“Supozoj që të gjitha këto nuk janë të vërteta, që Miloradi ka qenë pjesëmarrës në luftë dhe sipas meje arsyetimi më i mirë e ka dhënë dëshmitari Enver Marmullaku në deklaratën e vet dhe sot prokurorja në fjalën e saj kanë thënë që ishte joserioze. Dëshmitarët e kanë akuzuar Miloradin vetëm në bazë të thashethemeve të cilat janë bartur në Dush pas luftës”, deklaroi avokati.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuar Milorad Zajiq tha se nuk është fajtor për akuzën e Prokurorisë.

Ai tha se dëshmitë e dëshmitarëve janë të rrejshme dhe tendencioze.

“Me datën 20 qershor 1998, në mëngjes kam shkuar në Klinë sepse nuk kam dëshiruar konflikt me shqiptarët”, deklaroi i akuzuari.

Rreth konfliktit ai tha se ndoshta të dyja palëve u është imponuar lufta.

Para gjykatës ai tha se i vjen keq për vdekjen e tre shqiptarëve.

“Kam qenë viktimë dhe nuk e di se në çfarë rrethana kanë vdekur dhe se në Klinë jam kthyer pas luftës, në vitin 2006”, shtoi ai.

Ai tha se menjëherë pasi e kishte kuptuar akuzën ndaj tij, e kishte shkruar demantin dhe e kishte dërguar në 9 adresa në Klinë.

“I kisha lutur familjet shqiptare nga fshati Dush të më lënë në Klinë përkatësisht të kthehem në fshatin e lindjes. Dhe se jam i gatshëm që secilin shqiptar ta shikoj në sy sepse ndërgjegjen e kam të pastër dhe jam faqebardhë”, tha i akuzuari Milorad Zajiq.

Milorad Zajiq akuzohet për pjesëmarrje aktive në përndjekjen e fqinjëve të tij shqiptarë në fshatin Dush të Klinës, në qershor të vitit 1998.

https://kallxo.com/gjykimi-per-krime-lufte-serbi-nga-klina-mohon-se-ua-dha-shtepine-paramilitareve-serb/

Sipas aktakuzës, ai ishte i përfshirë në përndjekjen e fqinjëve të tij duke ofruar shtëpinë e tij si bazë për forcat e armatosura serbe duke qëlluar në drejtim të shqiptarëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se më 19 qershor 1998, Zajiqi e kishte nisur betejën kundër shqiptarëve.

Fqinjët e tij e kishin parë duke shkarkuar nga makina e tij “Zastava” armë, e në mbrëmje duke qëlluar ne drejtim të shtëpive të shqiptarëve.

Nga po këto sulme mbetën të djegur në shtëpitë e tyre tre të moshuarit Zade, Osman dhe Haradin Marmullaku. Viktima të këtyre sulmeve ishin edhe katër banorë të tjerë të vrarë, gruaja dhe vajza e të dëmtuarit, Xhemë Marmullaku dhe Ismet e Bashkim Marmullaku.

Zajiq ishte deklaruar i pafajshëm për këto akuza.

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-krime-lufte-ne-kline-ndihet-i-pafajshem/

www.kallxo.com