Kujtimi i viktimave të shpërthimit në Tregun "Markale" të Suharekës
Serbët do të Rindërtojnë Sulmet në Sarajevë
Ekspertë të punësuar nga autoritetet serbe të Bosnjës do të organizojnë rindërtime të shpërthimeve vdekjeprurëse në Tregun “Markale” të Sarajevës në vitin 1994 dhe 1995 dhe sulmin në një radhë buke në vitin 1992.
Sulmet që vranë shumë njerëz në Sarajevë gjatë luftës do të rindërtohen nga ekspertë ne balistikë, eksplozivë dhe mjeko-ligjorë në një qendër trajnimi në Nikinci, pranë Rumas në Serbi, në atë që zyrtarët serbë të Bosnjës thanë se ishte një përpjekje për të përcaktuar atë që ndodhi vërtet.
Milorad Kojiçq drejtor i Qendrës së Republikës për Hetimin e Luftës, Krimet e Luftës dhe Kërkim të të Zhdukurve, një organizatë e mbështetur nga autoritetet e entitetit serb të Bosnjës, Republika Serbe, tha se në rindërtimin e asaj se si ndodhën sulmet do të punonin ekspertë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Rusia, Kina, Republika Çeke, Gjermania, Izraeli, Serbia dhe Republika Serbe.
Kojiq tha për BIRN se “do të ndërtohet një skenë autentike e ngjarjeve që ndodhën në vitet 1992, 1994 dhe 1995, siç përshkruhet në vendimet gjyqësore”.
“Ajo që është më e rëndësishme është fakti se ne kemi marrë pëlqimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë për të kryer një rindërtim të atyre ngjarjeve në qendrën stërvitore në Nikinci, në mënyrë që ekspertët të japin mendimin e tyre,” tha ai.
Liderët ushtarakë dhe politikë të kohës së luftës të Republikës Serbe gjithmonë i kanë refuzuar akuzat se forcat serbe ishin përgjegjëse për sulmet, duke pretenduar se boshnjakët i organizuan ato për të fituar keqardhje ndërkombëtare.
Më shumë se 20 civilë që mbanin radhën për bukë u vranë në një shpërthim në Rrugën “Vase Miskin” më 27 maj 1992.
Gjashtëdhjetë e dy civilë u vranë dhe më shumë se 140 u plagosën në shpërthimin në Tregun “Markale” më 5 shkurt 1994, ndërsa 37 persona humbën jetët e tyre dhe rreth 70 u plagosën në treg më 28 gusht 1995.
Në vendimet e saj, Gjykata e Hagës përcaktoi se predhat që goditën Tregun “Markale” në vitin 1994 dhe 1995 u qëlluan nga pozicione që mbaheshin nga Ushtria Serbe e Bosnjës.
Kojiq megjithatë tha se kishte ende polemika në lidhje me palën përgjegjëse për sulmet.
Ai tha se kur u dha vendimi kundër Radovan Karaxhiqit, gjyqtari Melville Baird nuk ra dakord me gjyqtarët e tjerë në lidhje me faktin se cila palë ishte përgjegjëse për sulmin e parë në “Markale”.
Baird tha se ai nuk ishte dakord me shumicën e opinionit që predha ishte qëlluar nga pozicionet serbe dhe tha se ishte e mundur që ajo të ishte qëlluar nga forcat boshnjake.
“Ne duam të vërtetojmë të vërtetën. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë njerëzit në Bosnjë dhe Hercegovinë,” tha Kojiq.
Ish-presidenti serb i Bosnjës Karaxhiq u dënua sipas një vendimi të shkallës së parë të dhënë në mars me 40 vjet burg për disa krime lufte, përfshirë një fushatë bombardimi dhe sulme me snajperë në Sarajevë, dy nga të cilët ishin shpërthimet në “Markale”.
Ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës Ratko Mlladiq është gjithashtu ende në gjyq në Hagë dhe po gjykohet gjithashtu për një fushatë terrori, përsëri duke përfshirë edhe sulmet në “Markale”.
Kojiq tha se rezultatet e rindërtimit do t’u parashtrohen ekipeve të tyre të mbrojtjes për të ndihmuar fushatat e tyre për lirim nga akuzat.