Vitaly Churkin, ish-ambasadori i Federatës Ruse në Kombet e Bashkuara. Foto: UN Photo/Evan Schneider.

Serbët Planifikojnë t’i Ngrenë Monument Churkinit në Srebrenicë

Shoqata Alternativa Lindore, e drejtuar nga serbët e Bosnjës, tha se do të ngrejë një monument për Vitaly Churkin më 8 korrik në parkun e qytetit në Srebrenicë në shenjë mirënjohjeje për bllokimin e tij të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Srebrenicën dy vjet më parë.

Vojin Pavloviq, kryetari i Alternativës Lindore, tha për BIRN se monumenti ishte përgatitur tashmë dhe se poshtë emrit të Churkin do të shkruhej në gjuhën ruse: “Faleminderit për JO-në ruse.”

“Kjo është shenja jonë modeste e mirënjohjes ndaj Rusisë për politikën parimore, mbështetjen për të vërtetën rreth luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe mbrojtjen e Republikës Srpska, si edhe për ambasadorin e guximshëm rus Vitaly Churkin, që vuri veton kundër rezolutës së turpshme”, tha Pavloviq.

Churkin, i cili vdiq në shkurt, ishte i dërguar i Rusisë në negociatat e paqes gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi nga viti 1992 deri 1994.

Në vitin 2015, ai vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të hartuar nga Britania, që do të kishte dënuar masakrat e Srebrenicës si gjenocid.

Rezoluta synonte të shënonte 20 vjetorin e vrasjes së rreth 8,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga forcat e Republikës Srpska.

Kina, Nigeria, Angola dhe Venezuela abstenuan dhe 10 anëtarët e mbetur të Këshillit të Sigurimit votuan pro.

Churkin tha se rezoluta “nuk ishte konstruktive, konfrontuese dhe e motivuar politikisht”.

Megjithatë, nuk dihet ende nëse Alternativa Lindore mund ta ngrejë ligjërisht monumentin.

Pavloviq tha se në shkurt autoriteteve lokale u ishte paraqitur një kërkesë, por s’ishte dhënë ende asnjë leje, edhe pse ai shtoi se Alternativa Lindore e interpreton heshtjen e administratës së Srebrenicës si një shenjë miratimi.

Zbulimi i memorialit është planifikuar të bëhet vetëm tre ditë para 11 korrikut, 22 vjetorit të masakrave të Srebrenicës.

Kjo është dënuar gjerësisht nga shoqatat që përfaqësojnë familjet e viktimave si një përpjekje për provokim.

“Ata bëjnë diçka çdo vit më 11 korrik. Nuk e di se çfarë mund të shpikin tjetër për të provokuar të rikthyerit e pasluftës dhe të mbijetuarit e gjenocidit”, tha për BIRN Hajra Catiq, kryetarja e shoqatës Gratë e Srebrenicës.

Munira Subashiq, kryetarja e shoqatës Nënat e Srebrenicës dhe Zepës, tha se ajo nuk do të habitej nëse në Srebrenicë do të ngriheshin monumente për kriminelët e luftës.

“Ata janë krenarë për atë që bënë në Srebrenicë. Ata nuk u penduan kurrë”, tha Subashiq për mediat boshnjake.

Gjykata e Hagës vendosi në vitin 2014, në çështjen kundër Radislav Krstiq, një ish-gjeneral i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, se masakrat e Srebrenicës ishin gjenocid.

Vendimi u la gjithashtu në fuqi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007.