Fshati pas bombardimit në vitin 1999 | Foto: IN4S

Serbët në Mal të Zi kujtojnë bombardimin e fshatit nga NATO-ja

Organizata serbe në Mal të Zi, i cili iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, po shënojnë 19-vjetorin e bombardimit të NATO-s të fshatit Murino, ku mbetën të vrarë gjashtë persona përfshirë fëmijë.

Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi dhe disa organizata serbe të hënën përkujtojnë përvjetorin e bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 të fshatit malor të Murinos, afër kufirit me Kosovën, ku u vranë gjashtë civilë, përfshirë tre fëmijë.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të bëjnë nderimet e tyre dhe të përkujtojnë vdekjen e civilëve dhe fëmijëve të pafajshëm pa ndonjë arsye,” thanë organizatorët, ku përfshihen Kisha Serbe, Këshillin Kombëtar Serb, Shoqata e Shkrimtarëve të Malit të Zi dhe disa organizata lokale në veri të Malit të Zi.

Bombardimi i Murinos ishte sulmi më vdekjeprurës në Mal të Zi gjatë bombardimeve të Jugosllavisë në vitin 1999 dhe shpesh u përdor si argument kyç nga organizatat anti-NATO që bënin fushatë kundër anëtarësimit në aleancë.

Pavarësisht protestave nga serbët e vendit, të cilët përbëjnë 30 për qind të popullsisë, Mali i Zi iu bashkua zyrtarisht NATO-s qershorin e kaluar.

Sulmet ajrore të NATO-s në Murino vranë Vukic Vuletiç (40 vjeç), Julija Brudar (10 vjeç) dhe motrën e saj Olivera Maksimoviç (13 vjeçe), Miroslav Knezeviç (13 vjeç), Milka Kocanoviç (69 vjeç) dhe Manojlo Komatina (69 vjeç). Ata vdiqën kur dhjetë raketa goditën një urë në lumin Lim afër kufirit me Kosovën.

NATO e konsideroi urën si një “objektiv të ligjshëm ushtarak”, sepse ajo besohej se ishte një nga rrugët kryesore të tranzitit në Kosovë për trupat e Ushtrisë Jugosllave të vendosura në Malin e Zi.

Në qershor 2015, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg vizitoi Malin e Zi dhe shprehu keqardhje për bombardimin e Murinos. Komuniteti serb në vend e konsideroi këtë si një ndjesë zyrtare nga aleanca, edhe pse Stoltenberg nuk e përshkroi atë si të tillë.

“Humbja e të gjitha jetëve në vitin 1999 ishte një tragjedi,” tha Stoltenberg.

“Më vjen shumë keq për gjithçka që ka ndodhur. Dua të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe të gjithë ata që kanë humbur të dashurit e tyre në vitin 1999,” tha ai në një konferencë për shtyp.

Përkujtimorja e të hënës vjen dy ditë pasi Mali i Zi shënon përvjetorin e parë të votimit në parlament për anëtarësimin në NATO.

Sulmet ajrore të NATO-s mbi Jugosllavinë nisën në një përpjekje për t’i dhënë fund fushatës ushtarake të Beogradit në Kosovë – hera e parë që aleanca perëndimore përdori forcën pa mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rreth 500 civilë u vranë gjatë 78 ditëve të bombardimeve, sipas vlerësimeve të Human Rights Watch.