Disa shtëpi të djegura pas trazirave të marsit 2004

Serbët Kujtojnë Trazirat e Marsit 2004

Zyrtarë nga Serbia dhe serbë vendas të Kosovës morën pjesë në një ceremoni në manastirin ortodoks në Graçanicë në Kosovën Qendrore të premten dhe vendosën lule në një monument kushtuar personave të zhdukur me rastin e 13 vjetorit të trazirave vdekjeprurëse.

Zëvendësdrejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Ljubomir Mariq, tha në përkujtimore se serbët ishin të vendosur të qëndronin në Kosovë.

“Sot ne jemi të bashkuar më shumë se kurrë. Kemi mbështetjen e hapur të shtetit dhe qeverisë serbe. Dhuna, stuhitë (referim për operacioni ushtarak Stuhia të Kroacisë në vitin 1995) dhe krime të tjera nuk do të ndodhin kurrë,” tha Mariq, sipas RTS-së.

Sipas një raporti të OSBE-së, 19 persona u vranë (11 shqiptarë dhe tetë serbë) dhe më shumë se 900 u plagosën (përfshirë 65 policë ndërkombëtarë dhe 58 policë të Kosovës) në trazirat e dhunshme më 17 dhe 18 mars 2004.

Më shumë se 50,000 njerëz, si shqiptarë ashtu edhe serbë, morën pjesë në trazira.

Përveç sulmeve dhe vrasjeve, shumë kisha ortodokse serbe u dogjën dhe disa mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Për të shënuar përvjetorin, ministri serb i Arsimit Mladen Sarceviq dhe ministri i Punës Aleksandër Vulin vizituan një shkollë fillore në Beograd për të folur me fëmijët për Kosovën.

Në fillim të mësimit në shkollën “Petar Petroviq Njegos”, ministrat i pyetën nxënësit nëse ata kishin qenë ndonjëherë në Kosovë.

“Çdo serb duhet të shkojë dhe vizitojë Kosovën të paktën një herë në jetën e tij. Thjesht për të parë, asgjë më shumë,” tha Vulin në klasë, raportoi televizioni B92.

“Do të shikoni fshatra si çdo fshat tjetër, rrugë, djathë… Por do të ndjeni diçka ndryshe, diçka që s’mund të përshkruhet,” shtoi ai.

Në një kritikë të dukshme ndaj historisë së shqiptarëve të Kosovës, Vulin u tha gjithashtu nxënësve se manastiri i Deçanit ishte një shembull i arritjeve të serbëve në Kosovë që datonte qindra vjet më parë.

“Ajo ishte një kohë kur disa njerëz të tjerë (shqiptarë etnikë), që ndoshta sot përbëjnë shumicën atje, ndërtonin shtëpi të vogla,” tha Vulin.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha para përvjetorit të trazirave të enjten se i vinte turp nga ajo që ndodhi në mars të vitit 2004, sepse ishte e panevojshme dhe se turpëronte Kosovën.

“Ne nuk e kemi në traditë të shkatërrojmë monumente kulturore dhe historike, të rrezikojmë pronën, të djegim shtëpi, të jemi kërcënim për fëmijët, gratë dhe të moshuarit. Ne do t’i ndëshkojmë gjithmonë aktet e tilla dhe nuk dëshiroj vërtet që kjo gjë të ndodhë më kurrë” tha Thaçi.

Dhuna shpërtheu pasi tre fëmijë shqiptarë u raportua se ishin mbytur në lumin Ibër në Mitrovicë, pasi dyshohej se ishin sulmuar nga serbët, edhe pse serbët mohuan të kishin gisht në këtë çështje.

Gjykatat ndërkombëtare në Prishtinë kanë ndjekur penalisht disa persona që sulmuan disa kisha ortodokse serbe, duke dhënë dënime me burg që variojnë nga 21 muaj në 16 vjet.

Në mars 2004 kur shpërtheu dhuna në Kosovë, disa furra buke dhe dyqane të tjera në pronësi të shqiptarëve në Serbi u sulmuan.

Demo Berisha, president i Shoqatës së Shqiptarëve në Novisad, tha se çdo vit gjatë përvjetorit, shqiptarëve në Serbi u vjen turp, por druhen gjithashtu për atë që mund t’u ndodhë atyre.

“Unë jam kundër çfarëdolloj dhune, dëbimit të njerëzve që kanë jetuar diku tjetër për shekuj me radhë dhe e dënoj dhunën e vitit 2004,” tha Berisha për BIRN.