Gazimestan - 28.06.2019

Serbët kanë filluar të mblidhen për përvjetorin e 'Betejës së Kosovës' në Gazimestan (FOTO)

Pelegrinët serbë kanë filluar të mblidhen për shënimin e festës së tyre fetare, ‘Vidovdani’, te monumenti në Gazimestan.

Ata kanë filluar të vijnë të ndarë dhe në mënyrë të organizuar, ndërsa Policia e Kosovës ka siguruar zonën përreth vendit ku do të zhvillohet manifestimi.

Disa nga pelegrinët mbanin në duar një flamur me hartën e Kosovës, mbi të cilën qëndronte flamuri i Serbisë me mbishkrimin “Nuk dorëzohemi” (Nema Predaje).

Që në hyrje të Gazimestanit janë vendosur zyrtarë policor të cilët po sigurojnë që ky festim të shkojë pa ndonjë incident.

Pavarësisht këtyre mbishkrimeve, Policia nuk ka larguar ato njësoj siç ka vepruar herëve të kaluara.

Lëje për të ardhur në Kosovë ka marrë edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq. Por ai mund të arrestohet nëse then agjendën e aprovuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Këshilltari i Ministrit Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj tha për KALLXO.com se Marko Gjuriq ka kërkuar të vizitojë disa lokacione por i është aprovuar vetëm një, ajo e takimit në Qendrën e Studentëve në Veri të Mitrovicës.

”Gjuriq ka kërkuar që të kryej vizita në disa lokacione, por kjo nuk i është aprovuar nga MPJ. Ai ka leje të shkoj vetëm në Qendrën e Studentëve. Në momentin e parë që ai then agjendën që i kemi aprovuar ai arrestohet”, tha Zyberaj.