Srebrenica, në Bosnjën lindore. Foto: Eleanor Rose/BIRN

Serbët i Japin Dritën Jeshile Fondit Saudit për Srebrenicën

Fondi prej një milion eurosh i Arabisë Saudite për të financuar kthimin e personave të larguar me dhunë në Srebrenicë, në Bosnjën lindore, do të vazhdojë.

Qeveria e entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, votoi pro pranimit të fondeve për të ndihmuar rindërtimin e 55 shtëpive dhe sigurimin e pajisjeve bujqësore në qytetin ku më shumë se 7,000 boshnjakë (myslimanë) burra dhe djem u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995.

Projekti u ndërmjetësua në nivelin shtetëror boshnjak, me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi muajin e kaluar.

Ish-kryetari boshnjak i Srebrenicës, Qamil Durakoviq, i cili humbi postin e tij përpara një serbi në zgjedhjet lokale në fillim të këtij muaji, në shtator tha se miratimi final për këto fonde është diskutuar prej dy vitesh.

“Gjysmë milion euro do të investohen në ndërtimin e shtëpive për çiftet e sapomartuara dhe pjesa e dytë do të shkojë për zhvillimin e bujqësisë, sepse Srebrenica ka një kapacitet të madh për të zhvilluar këtë industri”, tha Durakoviq sipas faqes se lajmeve Faktor.ba.

Shpresohet që shtëpitë të kenë mbaruar deri në fund të vitit 2017.

Arabia Saudite ka treguar një interes të madh për Srebrenicën, e cila pas zgjedhjeve lokale të këtij muaji për herë të parë që pas masakrës së vitit 1995 ka një kryetar komune serb – gjë që shkaktoi shqetësim tek te mbijetuarit boshnjakë dhe të afërmit e viktimave.

Biblioteka përkujtimore në Potoçari, ku ndodhen edhe varrezat e viktimave të masakrës, e konsideruar si një akt gjenocidi nga ICTY, u hap në vitin 2014 me ndihmën e fondeve të Arabisë Saudite.

Delegacione zyrtare saudite kanë vizituar qytetin prej më shumë se një dekade për të marrë pjesë në përkujtimore dhe për të përmirësuar lidhjet.