Përkujtimorja në rrugën Dobrovoljacka në vitin 2016. Foto: Anadolu.

Serbët e Bosnjës shmangin Sarajevën për përkujtimoren e viktimave jugosllave

Të afërm të ushtarëve jugosllavë të vrarë në maj 1992 në rrugën Dobrovoljacka në Sarajevë, ndërsa ata po tërhiqeshin nga qyteti, nuk do ta shënojnë përvjetorin e tyre në kryeqytet për të dytin vit radhazi.

Përkujtimorja e vrasjeve të vitit 1992 të trupave të Ushtrisë Popullore Jugosllave do të mbahet të enjten në një varrezë në fshatin Miljevici afër Sarajevës Lindore, sepse serbëve të Bosnjës nuk u është lejuar të vendosin një pllakë përkujtimore në rrugën e Dobrovoljacka në kryeqytetin ku ata vdiqën, thanë organizatorët.

“Autoritetet e Kantonit të Sarajevës nuk na lejuan të vendosnim një pllakë me emrat e viktimave dhe ne nuk mund të kryejmë një ceremoni fetare ortodokse në mënyrë adekuate, kështu që nuk do të shkojmë në Sarajevë derisa të na i lejojnë të gjitha këto,” tha Milenko Savanoviq, ministri i punëve dhe punëve të veteranëve në entitetin me shumicë serbe të Bosnjë, Republika Srpska, të hënën.

Njësoj si vitin e kaluar, Savanoviqi pohoi se situata e sigurisë është gjithashtu e papërshtatshme, sepse ceremonia ka nevojë për mbrojtje nga një numër i madh punonjësish policie për të shmangur incidentet e mundshme.

Sarajeva Lindore është një qytet i mbizotëruar nga serbët në Republikën Srpska pranë kryeqytetit Sarajevë, i cili është në Federatë, entiteti me shumicë boshnjake dhe kroate në Bosnjë.

Përkujtimorja e fundit që u mbajt në rrugën e Dobrovoljacka në vitin 2016 kaloi pa asnjë incident.

Megjithatë, një punonjës komunal i vendosi lulet dhe qirinjtë në një kosh plehrash, duke shkaktuar zemërim midis familjeve dhe disa anëtarëve të publikut.

Kjo bëri që ministria serbe e Bosnjës ta organizonte përkujtimoren për herë të parë në fshatin Miljevici në vitin 2017.

Më 3 maj 1992, një kolonë e Ushtrisë Popullore Jugosllave u sulmua në rrugën  Dobrovoljacka ndërsa po dilte nga Sarajeva dhe disa ushtarë u vranë ose u plagosën.

Askush nuk është gjykuar ende për vdekjet e tyre.

Si rezultat i një hetimi që vazhdon ende në Serbi, dy të dyshuar janë ndaluar – Ejup Ganiq u arrestua në Britani dhe Jovan Divjak në Austri.

Megjithatë, gjykatat në Britani dhe Austri vendosën të mos i ekstradonin ata në Serbi, por në Bosnje dhe Hercegovinë, ku vazhdon një hetim paralel për dhunën në rrugën e Dobrovoljacka.

Pavarësisht premtimeve nga zyrtarët e prokurorisë shtetërore boshnjake, ende nuk është ngritur asnjë padi.

Çështja e vendosjes së një monumenti në vendin ku vdiqën ushtarët në rrugën Dobrovoljacka është prej kohës një çështje mosmarrëveshjeje në Sarajevë.