Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje, Valentin Inzko. Foto: Arkiv/Kombet e Bashkuara në Mostar.

Serbët e Bosnjës Shkëpusin Komunikimin me Përfaqësuesin e BE-së

Qeveria e Republikës Srpska njoftoi të enjten se ka pezulluar komunikimin me Përfaqësuesin e Lartë të vendit Valentin Inzko, duke pretenduar të kërkohet ndjesë për deklaratat në të cilat Inzko e krahasoi festimin e përvjetorit të entitetit më 9 janar me përkujtimin e themelimit të Shtetit të Pavarur të Kroacisë, një shtet kukull i Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë – mbikëqyrësi ndërkombëtar përgjegjës për sigurimin e zbatimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995 – u përgjigj duke thënë se sipas Dejtonit, Republika Srpska nuk ka zgjedhje tjetër veçse të bashkëpunojë me Inzkon.

Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, qeveria e Republikës Srpska tha se kishte pranuar një nismë të propozuar nga shoqatat e veteranëve të luftës në të cilën ata “i kërkuan Inzkos t’i kërkojë ndjesë popullit serb për fyerjet që nxori nga goja”.

“Derisa të kërkohet ndjesë, qeveria e Republikës Srpska shkëput komunikimin dhe të gjitha marrëdhëniet me Përfaqësuesin e Lartë Valentin Inzko dhe Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë,” thuhej në deklaratë.

Por Mario Brkiç në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë tha për TV N1 se “sipas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, palët e marrëveshjes (që përfshijnë Republikën Srpska) janë të detyruara të bashkëpunojnë plotësisht me Përfaqësuesin e Lartë dhe stafin e tij”.

Inzko, i cili është zyrtari më i lartë i komunitetit ndërkombëtar në vend, ka qenë nën presion të madh këtë javë pasi komentet e tij kontroverse u publikuan nga media lokale ditën e martë.

Faqja vendase e lajmeve Faktor raportoi se ai ka thënë: “Për komunitetin ndërkombëtar, është vetëm Bosnja dhe Hercegovina (siç është përshkruar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit) dhe Republika Srpska, të cilës iu dha legjitimiteti i saj më 21 nëntor 1995 në Dejton.”

“Nëse ne fillojmë të festojmë festa si 9 janari, pastaj dikujt mund t’i lindë ideja të festojë për le të themi 10 prillin, ditën kur u themelua Shteti i Pavarur i Kroacisë (NDH).”

“Mendoj se askujt s’po i lind ideja për të festuar 10 prillin dhe se duhet t’i kthejmë sytë nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara,” tha ai, sipas Faktor.

Zyra e Përfaqësuesit të lartë nuk u kontaktua dot për komente të mëtejshme në kohën e publikimit të lajmit.

Komentet e Inzkos për 9 janarin i referoheshin festimeve që u mbajtën të hënën me rastin e Ditës së Republikës Srpska, e cila u mbajt pavarësisht se ishte ndaluar nga Gjykata Kushtetuese e vendit.

Sipas gjykatës, festa u ndalua sepse – duke qenë se në kalendarin e Kishës Ortodokse Serbe kjo është dita e një shenjtori – u konsiderua diskriminuese ndaj jo-serbëve që jetojnë në entitet.

Pavarësisht pretendimeve nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë se thelbi i komenteve të raportuara të Inzkos nuk ishte të përqendrohej tek krahasimi, por të bënte thirrje për një konsensus në mbarë vendin për festat kombëtare, ato u përballën me zemërimin e zyrtarëve të larftë serbë.

Presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik tha për mediat lokale se Inzko, “klouni i famshëm i komunitetit ndërkombëtar”, kishte “treguar disa nga ngjyrat e tij të vërteta”.

Anëtari serb i presidencës trepalëshe të vendit, Mladen Ivaniç, tha për mediat se komentet përbënin “një nga gjërat më të urryera që mund të dëgjojmë nga një person që përfaqëson komunitetin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Ambasadori rus në Bosnjë, Petar Ivanco, mbështeti Republikën Srpska, duke thënë se ai ishte habitur nga komentet, sipas agjencisë se lajmeve SRNA në Banja Luka.

Ivancov tha se komentet e Inzkos shtrembëronin realitetin, shkaktonin tensioni dhe “dëshmonin mungesën e objektivitetit të tij”.

Shkëputja e komunikimeve midis Republikës Srpska dhe Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë shënon një pikë të ulët në marrëdhënien shpesh të vështirë midis këtyre dy të fundit.

Dodik prej kohësh ka kërkuar përjashtimin e zyrtarëve ndërkombëtare nga çështjet shtetërore, duke kërcënuar se do të përjashtojë gjyqtarët e huaj nga Gjykata Kushtetuese.