Asambleja e Republikës Serbe
Serbët e Bëjnë Laike Ditën e Republikës
Pas orësh të tëra debatesh të nxehta, Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe miratoi një ligj të martën duke deklaruar se dita tepër e diskutuar e këtij etniteti do të vazhdojë të festohet më 9 janar – ditën që u themelua në vitin 1992, porse ajo do të jetë një festë laike.
Respektimi i festës gjithashtu nuk do të jetë me detyrim për joserbët që jetojnë në entitet.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjës vendosi në nëntor të vitit të kaluar se Dita e Republikës Serbe ishte e paligjshme, duke thënë se ishte antikushtetuese sepse ishte një festë ortodokse serbe dhe për këtë arsye ishte diskriminuese ndaj joserbëve.
Republika Serbe pas kësaj mbajti një referendum muajin e kaluar për të konfirmuar mbështetjen popullore për festën, pavarësisht nga fakti se edhe referendumi u ndalua nga Gjykata Kushtetuese në nivel shtetëror.
Seanca e Asamblesë Kombëtare të martën u shndërrua në një debat midis deputetëve të partive qeverisëse të entitetit, të cilët e mbështetën ligjin dhe ligjvënësve opozitarë që pyetën se përse ishte mbajtur referendumi.
Kreu i grupit parlamentar të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, Radovan Viskoviq, tha se me ligjin e propozuar 9 janari do të mbetej Dita e Republikës Serbe.
“Në këtë mënyrë ne nuk i japim një paditësi të ardhshëm mundësinë të vërë në pikëpyetje atë që ndodhi më 9 janar,” tha Viskoviq.
Por Adam Sukalo, një deputet nga partia opozitare Partia e Avancuar Serbe, akuzoi partitë në pushtet se kanë ndryshuar natyrën e festës së përvitshme.
“Dita e Republikës Serbe nuk është më një festë republikane. Ky ligj është një turp! Ai ka ndryshuar Ditën e Republikës. Ju keni luajtur me popullin,” tha Sukalo.
Por Lejla Resiq, Ministrja e Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Republikës Serbe, ministri që hartoi ligjin, e mohoi këtë.
“Nuk është e vërtetë që Dita e Republikës Serbe nuk është një festë në përputhje me ligjin. Ajo ekziston në nenin 2 të Ligjit për Festat,” tha Resiq.
Në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë Kombëtare nuk morën pjesë deputetët nga koalicioni Atdheu i përfaqësuesve politikë të boshnjakëve në Republikën Serbe për shkak se ata thanë se deklarata e themelimit të entitetit serb më 9 janar 1992 ishte një prelud për krimet e kryera gjatë luftës që shpërtheu menjëherë pas kësaj.
“Ky ligj nuk ka bazë ligjore, siç është konfirmuar edhe më parë nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni i Venecias dhe Këshilli i Zbatimit të Paqes në Bosnjë. Asambleja Kombëtare po imponon një datë e cila është shpallur si diskriminuese,” tha për mediat Senad Bratiq, një deputet nga koalicioni Atdheu.
Ndërkohë Perica Bundalo, një deputet nga Partia e Progresit Demokratik, paralajmëroi se ligji i ri do të “sulmohet” nga Gjykata Kushtetuese në nivel shtetëror dhe pyeti nëse autoritetet do të mbanin një tjetër referendum nëse kjo ndodh.
“Çdo referendum tjetër do të jetë shumë më i vështirë, në mos edhe i pamundur të mbahet. Dhe ai referendum i ardhshëm mund të jetë shumë më i rëndësishëm, ndoshta edhe fatal për serbët e Bosnjës,” tha Bundalo.
Qeveria e Republikës Serbe më parë ka thënë se referendumi i muajit të kaluar – organizimi i të cilit kushtoi më shumë se 700,000 euro, u mbajt vetëm për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por disa analistë besojnë se qëllimi i vërtetë i tij është të sigurohej që partia Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur e Milorad Dodik-ut të dilte mirë në zgjedhjet e fundit lokale të cilat u mbajtën një javë pas tij.