Senatori Ron Johnson - Foto: Video Screen shot

Senatori Johnson: ShBA mbështet presidentin Thaçi dhe kurajon e tij

Arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë e sheh si të domosdoshme senatori amerikan, Ron Johnson.

Këtë gjë, ai e bëri të ditur pas takimit që e pati me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Sipas tij, Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq duhet t’ju lënë hapësirën që të vijnë deri te marrëveshja, sepse ajo duhet të bëhet mes palëve, por në momentin që marrëveshja të arrihet të sigurojmë përkrahje që të sigurohemi se marrëveshja prodhim paqe, stabilitet, siguri dhe prosperitet për popullin e Kosovës dhe Serbisë që të ecin përpara, ka theksuar ai pas takimit me presidentin Thaçi.

Senatori Johnson ka thënë se një marrëveshje është e domosdoshme për të ardhme të ndritura të të dyja shteteve dhe ne jemi këtu që ta mbështesim dhe sërish kam respekt të thellë për Presidentin Thaçi për kurajon që po e tregon që të arrijë diçka kaq të vështirë.

Nga ana e tij, Presidenti Thaçi falënderoi senatorin Johnson për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces.

Ai shtoi se arritja e kësaj marrëveshje është e vështirë, por se gjithçka do të lehtësohet me ndihmën amerikane.

“Është kënaqësi për mua që sot takova senatorin Johnson i cili shpesh ka vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë. Na ka inkurajuar vazhdimisht që të punojmë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë që nënkupton njohjen reciproke, anëtarësimin e Kosovës në OKB pas zëvendësimit të Rezolutës 1244, e di që nuk do të jetë një proces i lehtë por me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të senatorit Johnson gjërat mund të arrihen, mund të konkretizohen, mund të arrihet marrëveshja paqësore historike”, ka theksuar Thaçi.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se me senatorin kanë biseduar për tema me interes të dy shteteve dhe se të gjitha institucionet e SHBA-së mbështesin arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi tash e sa ditë po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fokus të diskutimeve me zyrtarët e lartë amerikanë  është dialogu Kosovë-Serbi dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese për dy shtetet./21Media