Pamje nga mbledhja e sotme e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Senati i UP-së Miraton Rregulloren për Emërime e Avancime Akademike

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka miratuar në mbledhjen e sotme Rregulloren për emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik te UP-së për të gjitha fakultetet me përjashtim të atij të Arteve.

Kjo Rregullore është miratuar në mënyrë unanime.

Gjatë diskutimit për këtë pikë, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka, tha se si Këshill kanë sjellë propozimet.

“Ne propozojmë që për lëndët klinike të Fakultetit të Mjekësisë të llogariten edhe orët e praktikës klinike. Kjo të shtohet në nenin 11 nënparagrafi 7 pika a. ku flitet për pozitën e mësimdhënësve së paku 50 % të orëve të parapara për normë të plotë te jenë ligjërata nga lëndët obligative kurse pjesa tjetër e orëve ligjërata nga lëndët zgjedhore.”, theksoi ajo.

Manxhuka tha se në këtë nen duhet të shtohet edhe për lëndët klinike që i ka Fakulteti i Mjekësisë.

Ndërsa, menaxhmenti i UP-së tha se nëse lëndët klinike ekzistojnë si të akredituara me planprogramin e akreditimit, atëherë edhe mund të njihen.

Por, ky propozim nuk u fut në rregullore andaj me këtë rast reagoi dekania, e cila tha se jeni duke e shkatërruar shëndetësinë kosovare. “Jeni duke ndikuar me e shkatërru mjekësinë në Kosovë”, theksoi Manxhuka.

Ndërsa, Bujar Dugolli, dekan i Fakultetin Filozofik pati disa vërejtje në Rregullore.

Ai kërkoi të hiqet mosha e përcaktuar për zgjedhje të profesorit dhe asistentëve.

“Kur jeni te puna e moshës, unë gjithmonë e kam kundërshtu moshën për profesorët dhe asistentët. Çështja e moshës është kundër të drejtave të njeriut. Unë kërkoj nga ju se ka asistent që i ka bo 30 vjet e 1 muaj dhe palët ju ka drejtu gjykatës dhe e dimë që e kanë fitu rastin. Andaj unë propozoj të anulohet kjo dispozitë dhe mos ta aplikojmë fare”, tha Dugolli.

Dugolli kërkoi të dijë edhe për propozim të platformave  nga fakultetet e UP-së për publikime të punimeve shkencore.

Ndërsa, me 9 abstenime, 2 kundër dhe 20 pro, Senati i UP-së ka kthyer në Këshill të Fakultetit Rregulloren për emërim, riemërim dhe avancim të stafit akademik të Fakultetit të Arteve.