Mbledhja e Senatit të UP-së - Foto: KALLXO.com

Senati i UP-së Diskuton Rastin e Kryeinspektorit të Arsimit

Rreth tri orë ka zgjatur mbledhja e Senatit të Universitetit të Prishtinës, në të cilën janë diskutuar një sërë çështjesh.

Diskutimi më i ashpër u bë kur u shqyrtua raporti i Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa i Senatit për rastin e kryeinspektorit të Arsimit, Dëfrim Gashi.

Gashi ishte ankuar për shkak se Senati i UP-së i kishte refuzuar ratifikimin e doktoratës ndërsa UP-ja kishte vlerësuar se ai nuk e ka përmbushur kriterin e punimit shkencor, i cili kërkohet për mbrojtje të temës së doktoratës.

Prorektori Faton Berisha tha se kryeinspektori Dëfrim Gashi e ka shfrytëzuar pozitën e vet për të ndikuar në Rektorat.

“Ju siguroj që në asnjë moment me këtë kandidat nuk është vepruar ndryshe nga cilido kandidat tjetër i Universiteti të Prishtinës. Çështja është se kandidati ka dashur ta shfrytëzojë pozitën që ka në aparatin shtetëror që me dhunë ta kapërcejë ratifikimin e punimit të tij të doktoratës”, tha Berisha.

Ndërsa dekani i Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli, tha se këtë çështje e ka ngritur edhe më parë.

“Unë për këtë çështje e kam ngritur shqetësimin shumë herë këtu. Faktikisht disa jeni bërë të shurdhër këtu dhe nuk e keni dëgjuar seriozisht problemin”, tha Dugolli.

Pas shumë diskutimesh dhe propozimesh, Senati mori vendim unanim që rasti i kryeinspektorit Gashi të shtyhet për një mbledhje tjetër.

Në këtë mbledhje të Senatit është diskutuar edhe për Rregulloren për emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës.

Në këtë pikë pati diskutime nga senatorët të cilët kërkuan të hiqet nga rregullorja mosha për zgjedhjen e profesorëve dhe asistentëve në UP si dhe të jetë e specifikuar edhe çështja e nepotizmit.

Pas shumë kërkesash, Senati votoi në mënyrë unanime Rregulloren për emërim, riemërim dhe avancim të stafit akademik të UP-së, duke përjashtuar këtu Fakultetin e Arteve.

Nga fundi i kësaj mbledhje, Shaban Qerkini njëri nga studentët pjesë e Parlamentit Studentor reagoi në sallë duke kërkuar përgjigje nga manaxhmenti i UP-së për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga organizata ndërkombëtare EQAR.

“Ne si student dhe shumë student të tjerë jemi shumë të shqetësuar me vendimin e marrë nga Asociacioni Evropian për Sigurim të Cilësisë për Arsimin e Lartë e cila ka vendosur ta përjashtoj Agjencinë për Akreditim për shkak të shkeljes së standardit të pavarësisë institucionale”, tha Qerkini.

Rektori Marjan Dema tha se ky vendim nuk është i mirë dhe shumë shpejt do të dalin me një qëndrim për këtë çështje.

“Aktualisht nuk mund të japim përgjigje por sigurisht prorektorit për cilësi do të merret me këtë çështje dhe do ju informojmë sepse ky shqetësim nuk është vetëm i juaji por edhe i universiteteve tjera, i profesorëve, është shqetësim që po na bënë mos me u ndje mirë”, tha rektori Dema.

Në Senat të enjten u morën edhe shumë vendime të tjera, në mesin e tyre edhe emërimi I Komitetit Etik për hulumtime shkencore në nivel të universitetit.