Mbledhja e 49-të e senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Foto: KALLXO.com

Senati i UP-së lejon vazhdimin e studimeve të doktoratës për gjashtë studentet e pranuara më 2013

Senatorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot kanë votuar pro rekomandimit të Avokatit të Popullit për regjistrimin e gjashtë kandidateve në studimet e doktoratës.

Institucioni i Avokatit të Popullit më 17 prill të këtij viti i kishte dërguar një rekomandim Senatit të Universitetit të Prishtinës, që për kandidatet Festime Mehdiu, Naime Beqiraj, Vaide Kqiku-Hoxha, Valentina Sopjani, Jehona Shala dhe Shkurta Çitaku të rishqyrtojnë kërkesën për kthim në lista prioritare, si dhe t’u njihet e drejta për kthim në këto lista.

Sekretari i përgjithshëm në UP, Esat Kelmendi, pasi lexoi rekomandimin e IAP tha se konstatimi i tij është që ligji duhet të vlejë për të gjithë kandidatët njëjtë.

“IAP ka konstatuar se ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë dhe të veprohet me parimin e njëjtë”, ka theksuar Kelmendi.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se tashmë ka filluar mësimi në doktoratë, mirëpo sipas saj, mund të integrohen me lejen e departamenteve këtë vit.

“Kemi 10 vende të lira nga tre për secilin drejtim. Vetëm se në gjuhësi dhe tre në letërsi. Mundemi me i inkuadru edhe këtë vit”, ka thënë Rugova.

Në konkursin e shpallur nga UP më 25 shtator 2013 për studimet e doktoratës, UP kishte publikuar listën e emrave të studentëve të pranuar në të cilat emrat e këtyre kandidateve figuronin si të pranuara.

Në anën tjetër, Senati u UP-së me 26 nëntor 2013 kishte nxjerrë vendim në të cilin ishin vendosur kritere shtesë për pranim dhe në këtë mënyrë ishin larguar kandidatet e lartcekura nga lista e të pranuarve.

E rreth këtij veprimi pas vendimit, disa prej këtyre kandidatëve kishin paraqitur padi në Gjykatën e Prishtinës, ku edhe u ishte njohur e drejta për të vazhduar studimet e doktoratës.

Meqenëse kjo Gjykatë kishte anuluar këtë vendim për kritere shtesë, kandidatet në fjalë kanë kërkuar nga Senati që emrat e tyre të kthehen në listat prioritare për doktoratë.

Senati i UP-së tutje kishte vendosur që vetëm atyre që ishin pjesë e padisë t’ua njohë këtë të drejtë dhe jo kandidateve të tjera, andaj pas ankesës së tyre tek IAP, është kërkuar që të vendoset në mënyrën e njëjtë për rastet e njëjta.