Mbledhja e 48-të e Senatit të UP-së, Foto: Kallxo.com

Senati i UP-së: Inspektorati i Punës po shkelë autonominë e Universitetit

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, bashkë me dekanët e fakulteteve, gjatë mbledhjes së sotme kritikuan vendimet e Inspektoratit të Punës, të cilat u cilësuan si tejkalim i kompetencave të tyre.

Dekani i Fakultetit të Edukimit, Ethem Çeku tha se Inspektorati i Punës është shndërruar në një ‘instrument’ për t’u avancuar në universitet.

“Inspektorati i Punës është shndërruar në një instrument dhe ju duhet të na thoni bazohuni apo mos u bazoni në ato vendime. Në qoftë se duam ta ruajmë një kriter për çështjen e avancimit sepse sa herë që po bëjmë lëshime aq më keq po kalojmë pastaj”, ka thënë dekani Ethem Çeku.

Sa i përket kësaj çështje prorektori Faton Berisha kërkoi që të bëhet një ankesë për shkeljen e autonomisë së Universitetit nga ana e Inspektoratit të Punës.

Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i UP-së, Esat Kelmendi sqaroi se gjatë një takimi me Komisionin Parlamentar për Arsim, u është premtuar se do të futet një nen në draft ligjin për Inspektoratin, i cili do t’ia ndaloj Inspektoratit të Punës të marrë vendime sa i përket çështjeve akademike.

Rektori i UP-së, Marjan Dema shprehi pakënaqësinë e tij me punën e Komisionit të Ankesave, i cili sipas tij, nuk po arrin të kryejë punën mirë për shkak të mungesës së një rregulloreje të punës së tyre.

Dema tutje kërkoi që të gjitha raportet e Komisionit të Ankesave të votohen së bashku.

“Ka raste të ngjashme që është vendosur ndryshe nga ky komision, andaj jam për atë që për këto vendime të marrim një vendim që të votojmë për të gjithë në bllok, nëse për ndonjë kandidat nuk ka fakte të reja”, ka thënë Dema.

Senatori i Fakultetit të Bujqësisë, Kurtesh Sherifi kërkoi që të diskutohet për dy kandidatë të cilët sipas tij, kanë bazë për diskutim.

“Dy kandidatë nga FBV i kanë punimet sepse në kohën kur janë vlerësuar nga senati ka pasur një problem për rikonstruim të ueb sajtit të revistës. Është fjala për kandidatin Muhamet Kamberi dhe Xhavit Ramadani. Mendoj se ka bazë për të dy kandidatët dhe njëri duhet të avancohet në profesor të rregullt dhe tjetri në të asocuar sepse kjo ka ndodhur pa fajin e tyre”, ka thënë senatori.

Prorektori Faton Berisha tha se kandidatët nuk i kishin punimet në revistat e duhura dhe kjo ishte arsyeja e mos avancimit.

“Kandidatët pretendonin se revista kishte emër të njëjtë por ishin dy të ndryshme, si dhe në atë kohë ueb faqja e revistës nuk funksiononte. Nuk po më duket se ka informacion të ri. Në komision të ankesave kandidatët nuk po ankohen për shkelje procedurale, për të cilat janë të thirrur ky komision por thonë ‘i kam punimet’ e kjo nuk është kompetencë e këtij komisioni”, deklaroi Berisha.

Senatorët votuan që të mbesin në fuqi vendimet e senatit për rastin e profesorit Ramiz Hoti, asistentes Sadie Namanit, profesorit Ilir Tolaj dhe Triumf Sadikajt.

Senati miratoi që prorektorja Merita Koçinaj Berisha, të jetë pjesë e Komisionit për Sigurim të Cilësisë.

Pas pensionimit të një anëtari nga Këshilli i Etikës, rektori Dema propozoi që të zëvendësohet me profesorin asistent Kujtim Boshtrakaj nga Fakulteti Filozofik.

 

https://kallxo.com/senati-largon-revisten-shkencore-danubius-nga-lista-e-revistave-kredibile/

.